«Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim»
1 Njerëzit kanë prirjen që me kalimin e kohës të lënë të shuhet domethënia e ngjarjeve të rëndësishme. Kjo është një nga arsyet se përse, kur po fillonin «darkën e Zotërisë», Jezui i urdhëroi dishepujt e tij: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» Kështu, që nga ajo kohë, në përvjetorin e vdekjes së Jezuit, të krishterët kanë vazhduar në mënyrë të bindur «të lajmërojnë vdekjen e Zotërisë, derisa ajo të vijë».—1. Kor. 11:20, 23-26, BR.
2 Së shpejti, Jezui do të marrë në banesën qiellore personat e fundit të «kopesë së vogël» që po zvogëlohet. (Luka 12:32, BR; Gjoni 14:2, 3) Këtë vit, mbetja e të mirosurve bashkë me shumicën e madhe gjithnjë në rritje të «deleve të tjera», do të kenë përsëri privilegjin të mbajnë Darkën e Zotërisë, më 11 prill. (Gjoni 10:16, BR; Zbul. 7:9, 10) Do të forcohet çmueshmëria për dashurinë e madhe të Jehovait i cili, dërgoi Birin e tij të vetëmlindur për dobinë e njerëzimit. Do të theksohet shembulli i Jezuit, dashuria e tij, besnikëria e tij deri në vdekje për sigurimin e shpërblerjes, sundimi i tij tani si Mbret i Mbretërisë së vendosur të Perëndisë si edhe bekimet që Mbretëria do të sjellë mbi njerëzimin. Me të vërtetë një rast për t’u kujtuar!
3 Përgatitu tani: Le të angazhohemi të gjithë për ta bërë këtë sezon të Përkujtimit një rast gëzimi të madh dhe mirënjohjeje për veten dhe për të gjithë ata që do të shoqërohen me ne. Ne mund t’i përgatitim zemrat tona duke lexuar përsëri tregimet e Biblës që lidhen me ditët e fundit të shërbimit të Jezuit dhe ngjarjet që çuan në vdekjen e tij. Disa javë përpara Përkujtimit, studimi ynë familjar mund t’i kushtohet rishikimit të kapitujve 112-116 të librit Njeriu më i madh.
4 Sa persona di ti që mund të vijnë në Përkujtim po të marrësh iniciativën për të ndërtuar çmueshmërinë e tyre për këtë rast, po t’i ftosh ata e t’i bësh të ndihen të mirëpritur? Bëj që tani një listë dhe bëj atë që mundesh për t’i ndihmuar që të vijnë. Pas kësaj, ndihmoji që të vazhdojnë të rriten frymësisht, duke i inkurajuar që të ndjekin rregullisht mbledhjet.
5 Gjatë sezonit të Përkujtimit do të bëhen rregullime të veçanta që për secilin lajmëtar të rriten mundësitë për të predikuar. Me një program të mirë, a mund të shërbesh si pionier ndihmës në prill ose në maj? Një nga mënyrat më të mira për të treguar se e kujtojmë me çmueshmëri të gjithë atë që do të thotë për ne flijimi i Jezuit, është të flasim për Perëndinë tonë Jehova dhe për bekimet që do të sjellë sundimi Mbretëror i Birit të tij.—Psal. 79:13; 147:1.