Si të blejmë kohën e volitshme
1 Fakti që kemi shumë për të bërë në shërbimin e Jehovait, na mban të zënë! (1. Kor. 15:58) Ne e njohim nevojën për të studiuar personalisht dhe si familje, për të lexuar çdo ditë Biblën, për t’u përgatitur dhe për të marrë pjesë në mbledhjet e kongregacionit, si dhe për të marrë pjesë rregullisht në shërbimin në fushë. Mbikëqyrësit kanë përgjegjësi baritore, si dhe kujdesen për detyra të tjera të kongregacionit. Disa kanë përgjegjësi të rënda familjare apo shumë detyrime ndaj të tjerëve. Që gjithçka të kryhet plotësisht, secili prej nesh ka nevojë për drejtpeshim dhe organizim të mirë personal.
2 Të vendosim përparësitë: Suksesi në ‘blerjen e kohës së volitshme për veten’, varet nga aftësia jonë shquese dhe nga gjykimi ynë i shëndoshë. (Efes. 5:15, 16, BR) Ne duhet të përcaktojmë se cilat janë «gjërat më të rëndësishme» dhe t’i vendosim ato në krye të listës sonë të përparësive. (Filip. 1:10, BR) Një çift e përshkroi kështu familjen e vet teokratike: «Ne e mbushim jetën tonë me të vërtetën . . . E vërteta nuk është pjesë e jetës sonë, ajo është jeta jonë. Çdo gjë tjetër sillet rreth saj.» Vendosja e adhurimit dhe e shërbimit të Jehovait në vendin e parë në jetë, është themelore.
3 Të identifikojmë gjërat që na harxhojnë kohën: Një javë ka 168 orë dhe ne na duhet t’i bëjmë një përdorim të mençur kohës që kemi në dispozicion. Për të pasur kohë të mjaftueshme për aktivitetet teokratike, kemi nevojë që të identifikojmë dhe të minimizojmë ato gjëra që na harxhojnë kohën. Një studim i bërë tregoi se në SHBA, një i rritur i zakonshëm, kalon më shumë se 30 orë në javë duke parë televizor! Të tjerë konsumojnë shumë kohë duke lexuar literaturë botërore. Disa mund të vënë re se u kushtojnë një sasi të tepërt kohe aktiviteteve shoqërore, pasioneve të tyre personale, çlodhjes apo ndonjë lloji aktiviteti me kompjuter. Ndoshta kemi nevojë t’i bëjmë një shqyrtim rutinës sonë të përditshme, për të parë se si mund ta përdorim kohën tonë në një mënyrë më të mirë. Mençuria kërkon që të vendosim kufij lidhur me sasinë e kohës që u lejojmë aktiviteteve jothemelore.
4 Të zhvillojmë një rutinë të mirë: Pavarësisht nga rrethanat personale, secili prej nesh mund të blejë kohë për synimet frymore. Disa kanë vënë re se fillimi pak më herët i çdo dite, i ndihmon për të kryer më shumë gjëra. Nëse kalojmë shumë kohë duke udhëtuar për në punë apo duke pritur të tjerët, një pjesë të kësaj kohe mund ta përdorim për leximin e Biblës, përgatitjen për mbledhjet apo dëgjimin e materialeve që Shoqata na ka siguruar në audiokaseta. Familjet nxjerrin shumë dobi, nëpërmjet lënies mënjanë të një kohe të rregullt e të veçantë për të studiuar së bashku. Nëse çdo anëtar i familjes është i përpiktë në pjesëmarrjen në studimin familjar, kjo gjë bën që të mos humbasë kohë asnjë prej anëtarëve të tjerë.
5 Çdo ditë që kalon, ne duhet të bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm se «koha [e mbetur, BR] është shkurtuar». (1. Kor. 7:29) Jeta jonë varet nga mënyra se si e përdorim kohën e çmuar që mbetet. Nëse blejmë kohën e volitshme, në mënyrë që të mund të mbajmë në vend të parë interesat e Mbretërisë, do të bekohemi!—Mat. 6:33.