«Rrini zgjuar»
1 Kur Jezui tha fjalët e regjistruara në Mateun 26:38-41, ai po i referohej kohëve më kritike të ekzistencës së tij njerëzore. Ajo do të ishte koha më e rëndësishme në të gjithë historinë njerëzore. Shpëtimi i gjithë njerëzimit ishte në lojë. Dishepujt e Jezuit kishin nevojë të «rrinin zgjuar».
2 Sot ne qëndrojmë në prag të mbërritjes së Jezuit në rolin e dyfishtë si çlirimtar dhe ekzekutues. Si të krishterë që rrimë zgjuar e që kuptojmë urgjencën e kohëve, nuk rrimë vetëm me duart kryq dhe presim çlirimin. Ne e dimë se duhet të jemi të gatshëm në çdo kohë. Është e nevojshme që të vazhdojmë «të punojmë fort dhe mundohemi» në shërbimin tonë ndaj Jehovait. (1. Tim. 4:10, BR) Ç’mund të themi për secilin nga ne individualisht? A po qëndrojmë zgjuar?
3 Të shqyrtojmë vetveten: Jezui gjithashtu paralajmëroi: ‘Kini kujdes për vetveten’. (Luka 21:34, 35) Ne duhet të kemi kujdes për vetveten, duke u siguruar që jemi «të paqortueshëm dhe të pastër . . . në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur». (Filip. 2:15) A po jetojmë çdo ditë si të krishterë, duke imituar Jezuin dhe duke ecur në harmoni me parimet e shkruara në Fjalën e Perëndisë? Ne duhet të shmangim një sjellje jo të krishterë karakteristike për botën që «dergjet në fuqinë e të ligut». (1. Gjon. 5:19, BR; Rom. 13:11-14) Kur ne shqyrtojmë vetveten nën dritën e Shkrimeve, a jemi me të vërtetë zgjuar siç mësoi Jezui?
4 Pleqtë duhet të rrinë zgjuar për të qenë të kujdesshëm në përmbushjen e detyrave të tyre në kongregacion, duke kuptuar se do të japin llogari për mënyrën se si kujdesen për kopenë. (Hebr. 13:17) Kryefamiljari ka detyrimin e veçantë për të drejtuar pjesëtarët e familjes së vet në rrugët e Jehovait. (Zan. 18:19; Jos. 24:15; krahaso 1. Timoteut 3:4, 5.) Gjithashtu, sa e rëndësishme është që të gjithë ne të plotësojmë urdhrin biblik për të dashur njëri-tjetrin! Është shenja e krishterimit të vërtetë.—Gjoni 13:35.
5 Jini të vëmendshëm për të paralajmëruar të tjerët: Të ndenjurit zgjuar përfshin më shumë se t’i kushtosh vëmendje vetvetes. Ne kemi urdhrin për të bërë dishepuj të tjerë. (Mat. 28:19, 20) Dashuria për të afërmin duhet të na nxitë për t’i paralajmëruar të tjerët kështu që të mund të mbijetojnë shkatërrimin që do të ballafaqojë kjo botë. Të gjithë të krishterët kanë këtë përgjegjësi. Është një pjesë thelbësore e adhurimit tonë. (Rom. 10:9, 10; 1. Kor. 9:16) Shpesh hasim apati ose kundërshtim të hapur në këtë vepër jetëshpëtuese. Ne jemi të detyruar të këmbëngulim, edhe nëse shumica i injoron paralajmërimet tona. (Ezek. 33:8, 9) Dashuria e sinqertë për Perëndinë dhe të afërmin do të na nxitë të ngulmojmë.
6 Kjo nuk është koha për t’u vetëkënaqur. Nuk duhet të lejojmë kurrë që ankthet e përditshme të jetës të na shpërqendrojnë apo të na bëjnë të për-fshihemi aq shumë në kënaqësitë e këtij sistemi sa që të na zënë në grackë. (Luka 21:34, 35) Tani, më shumë se kurrë ndonjëherë ka nevojë për një ndjenjë urgjence. Koha kur Jezu Krishti do të kryejë gjykimin mbi këtë sistem të lig, po afrohet me të shpejtë. Vetëm ata që janë zgjuar, të vëmendshëm dhe vigjilentë do të mbijetojnë. Sa mirënjohës do të jemi, nëse i bindemi udhëzimeve të Jezuit dhe ‘shpëtojmë nga të gjitha ato që do të ngjasin’!—Luka 21:36.