Trego konsideratë për të tjerët—Pjesa e dytë
1 Në mënyrë sa më të arsyeshme që të jetë e mundur, ne duam të mbajmë një marrëdhënie të mirë me njerëzit që jetojnë në bashkësinë tonë. Kjo kërkon që të tregojmë konsideratë dhe respekt për të drejtat dhe ndjenjat e tyre.
2 Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur për sjelljen e tyre të kulturuar. Normat tona të mirësjelljes në lagje, në shkollë, në vendin e punës, si edhe në asambletë tona, kanë qenë objekt i shumë komenteve të favorshme.
3 Natyrisht, sjellja e shkëlqyer, përfshin shumë gjëra, si ndershmërinë, kujdesin dhe moralin e mirë. Ajo gjithashtu përfshin respektimin e banorëve që jetojnë në zonën përreth Sallës së Mbretërisë. Sjellja jonë e shenjtë në aspekte të tjera mund të mos përfillet nëse nuk kemi konsideratë për fqinjët tanë. Pavli na nxiti që «të sillemi në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit».—Filip. 1:27, Dio.
4 Herë pas here janë bërë ankesa nga banorët që jetojnë afër disa Sallave të Mbretërisë pasi kanë parë një mungesë konsiderate nga ata që marrin pjesë në mbledhje. Vëllezërit dhe motrat duhet të shmangin grumbullimin në trotuarin përballë Sallës së Mbretërisë dhe të mos jepen pas bisedave me zë të lartë që mund të dëgjohen deri në shtëpitë e fqinjëve. Fëmijët nuk duhet të lejohen që të luajnë brenda dhe jashtë Sallës së Mbretërisë. Përplasja e shkujdesur e dyerve të makinës ose rënia e burisë mund t’i shqetësojë fqinjët. Një sjellje e tillë ndikon në mënyrë të pafavorshme mbi kongregacionin. Gjithashtu, është e rëndësishme që t’u përmbahemi të gjitha rregullave të trafikut kur ngasim makinën.—Rom. 13:1, 2, 5.
5 Makinat nuk duhet të parkohen në prona private ose në vende ku pengojnë trafikun apo bllokojnë rrugët. Vendparkimet e punëtorëve të ndërmarrjeve tregtare që janë afër, nuk duhet të përdoren pa lejen e tyre. Faktikisht, atje ku tre ose katër kongregacione përdorin të njëjtën Sallë Mbretërie, mbledhjet janë programuar çdo ditë të javës dhe kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis trupit të pleqve.
6 Bibla na nxit që «të gjitha t’i bëjmë për lavdinë e Perëndisë» dhe kjo përfshin shfaqjen e konsideratës për ata që janë jashtë. (1. Kor. 10:31-33, Dio) Nëse «u kushtojmë vëmendje interesave personale të të tjerëve», nuk do të futemi pa kujdes në pronat e tyre. (Filip. 2:4, BR) Gjithashtu, nuk duhet të ngatërrohemi me veprimtaritë e biznesit të tregtarëve lokalë.
7 Duke treguar konsideratë për të tjerët—si brenda ashtu edhe jashtë kongregacionit—shprehim nga jashtë atë që kemi në zemrat tona. Ajo që bëjmë dhe themi do të tregojë se ‘e duam të afërmin tonë porsi vetveten’.—Mat. 7:12; 22:39, Dio.