Shtojca
Drejto vëmendjen te Bibla
1, 2. Pse duhet t’i drejtojmë dëgjuesit tanë te Bibla?
1 Dëshira jonë në shërbim, është që të drejtojmë vëmendjen e cilitdo te Fjala e Perëndisë, Bibla. Ajo përmban mesazhin që predikojmë dhe ne duam që njerëzit të kuptojnë se, ajo që themi nuk e ka origjinën nga ne por nga Perëndia. Njerëzit që e duan Perëndinë kanë besim tek Bibla. Kur ua lexojmë, ata dëgjojnë dhe i marrin për zemër këshillat e saj. Por kur e gjejnë në kopjen e tyre të Biblës dhe e lexojnë vetë, u bën përshtypje më të thellë. Prandaj në shërbimin në fushë, kur na lejojnë rrethanat, do të ishte e mençur të inkurajonim padronin e shtëpisë që të merrte kopjen e tij personale të Biblës dhe të shikonte shkrimet me ty. Në mënyrë të ngjashme, në mbledhjet e kongregacionit, në qoftë se të gjithë inkurajohen që të marrin Biblën, më të rinjtë menjëherë do të njohin se ajo është burimi i besimit tonë dhe të gjithë do të nxjerrin përfitime nga emfaza në rritje e mbresave të dukshme.
2 Prandaj, ti do të kesh një avantazh të madh në arritjen e qëllimit tënd kur flet, në qoftë se ata që janë në auditor, sa herë që të jetë praktike, të ndjekin leximin tënd të vargjeve biblike, nga Bibla e tyre. Do ta bëjnë këtë apo jo, varet kryesisht nga inkurajimi i përshtatshëm që do t’u japësh atyre. Kësaj i referohet fletushka Këshilla mbi Fjalimet në pikën «Auditori i inkurajuar për të përdorur Biblën.»
3, 4. Si mund ta bëjmë këtë në mënyrë të efektshme?
3 Me sugjerime. Një nga mënyrat më të mira është duke i bërë ftesë drejtpërdrejt auditorit për të përdorur Biblën; kjo metodë është përdorur vazhdimisht. Nganjëherë mund të kesh të njëjtat rezultate, thjesht duke thënë se ku ndodhen vargjet, përpara se t’i lexosh ato; ndoshta në këtë mënyrë: «Tani ndërsa lexojmë 2. Timoteut 3:1-5, mendoni për situatën rreth nesh». Ndërsa kërkon për ta gjetur vetë tekstin, hidhi një sy auditorit përreth që të shohësh nëse po përfiton nga sugjerimi. Zakonisht edhe ata do të fillojnë të kërkojnë vargun.
4 Nëse ka shkrime, i takon oratorit të vendosë se cilat dëshiron të theksojë, duke bërë që të lexohen nga auditori. Shiko auditorin. Interesohu të shohësh nëse po të ndjek. Edhe në qoftë se për ndonjë arsye kërkohet të japësh një fjalim në formë dorëshkrimi, ti shpesh mund të përdorësh shkrimet kyçe, në mënyrë të tillë që auditori të të ndjekë me Biblën e tij.
5, 6. Shpjego përse është e nevojshme t’i lëmë kohë auditorit, për të gjetur shkrimet që ke planifikuar për të lexuar.
5 Të japim kohë për të gjetur vargjet. Nuk mjafton vetëm të citojmë shkrimin. Në qoftë se ti e lexon atë dhe kalon në një tjetër, përpara se auditori të ketë kohë për ta gjetur, ai më në fund do të dekurajohet dhe nuk do të vazhdojë më. Vështro auditorin dhe kur pjesa më e madhe ta ketë gjetur vargun, atëherë mund të lexosh.
6 Zakonisht është e këshillueshme të bësh citimin e shkrimit, përpara se të planifikosh për ta lexuar, kështu që nuk humbet kohë e vlefshme me pauza të gjata ose me shprehje të panevojshme, ndërsa auditori kërkon vargun. Megjithatë, këtu duhet një pauzë e përshtatshme. Nga ana tjetër, në qoftë se citimin e bën shpejt në hyrjen e vargut, ti duhet të mbash mend se disa gjëra që do të thuash, nuk do të ndiqen me imtësi. Kështu në raste të tilla, këto gjëra që janë lidhur me përparimin e argumentit, duhet të thuhen përpara se të tregosh vargun.
7-18. Çfarë metodash mund të përdorim për të paraqitur vargjet biblike me efektshmëri?
7 Shkrimet që përdoren në një fjalim, janë zakonisht pikat qendrore të fjalimit. Argumentet sillen rreth këtyre vargjeve. Sa do të kontribuojnë ato në një fjalim, varet se me sa efektshmëri do të përdoren. Pra, është e rëndësishme të konsiderohet pika «Hyrja e duhur e shkrimeve» që është shënuar në fletushkën tënde «Këshilla mbi fjalimet».
8 Ka shumë mënyra të ndryshme në të cilat mund të paraqitet një varg biblik, të lexohet dhe të aplikohet. Nganjëherë për shembull, paraqitja e vargut nuk na udhëheq vetëm në lexim, por bën dhe aplikimin, kështu që vetë leximi shërben vetëm për të dhënë emfazë ose për të qartësuar pikën. Nga ana tjetër, disa tekste përdoren me efekt të plotë, kur nuk shqiptohet asnjë fjalë, si për shembull në fillim të një fjalimi.
9 Për të mësuar si t’i paraqesësh Shkrimet me efektshmëri, shqyrto se çfarë bëjnë oratorët ekspertë. Përpiqu të dallosh mënyrat e ndryshme se si janë paraqitur Shkrimet. Konsidero efektshmërinë e tyre. Në përgatitjen e fjalimit tënd, konsidero me përparësi atë që duhet të arrish me anë të vargut, veçanërisht, në qoftë se është një varg kyç në një pikë me rëndësi të madhe. Planifiko me kujdes hyrjen, në mënyrë që ta përdorësh me efekt të plotë. Këtu janë disa sugjerime:
10 Një pyetje. Pyetja kërkon përgjigje. Ato nxisin mendimin. Lëre vargun dhe aplikimin e tij, të furnizojë përgjigjen. Për shembull, duke konsideruar transfuzionin e gjakut, ti mund të paraqesësh Veprat 15:28, 29, pasi të kesh treguar ndalimin sipas Shkrimeve Hebreje. Mund ta paraqesësh vargun duke pyetur: «Por a është po ky ndalim i detyrueshëm për të krishterët? Komento këtë vendim autoritar të trupit udhëheqës të kongregacionit primitiv, që udhëhiqej nga fryma e shenjtë».
11 Një deklaratë ose një parim, për ta përkrahur me vargun e paraqitur. Për shembull, në një fjalim mbi kriminalitetin mund të thuash: «Edhe zgjedhja e shokëve, është një faktor i rëndësishëm, në atë që mund të jetë: qëndrimi ynë ndaj së mirës dhe së keqes.» Atëherë ti mund të lexosh fjalët e Pavlit në 1. Korintasve 15:33, që përkrahin deklaratën tënde.
12 Citoni Biblën si autoritet. Zakonisht për vargjet dytësore mund të thuash thjesht: «Vëreni se çfarë thotë Fjala e Perëndisë mbi këtë pikë.» Kjo është një arsye e mjaftueshme për të pritur dëgjimin e vargut dhe na jep një arsye të qartë se për çfarë është përdorur.
13 Një problem. Në një fjalim mbi «ferrin» mund të thuash: «Në qoftë se një njeri do të vuante përgjithnjë në flakët e zjarrit, do të thotë se ai duhet të jetë i ndërgjegjshëm pas vdekjes. Por vërej se çfarë thotë Eklisiastiu 9:5, 10.»
14 Zgjedhje e shumëfishtë. Në qoftë se një pyetje direkte ose një problem mund të jetë tepër i vështirë për një auditor të veçantë, paraqit mundësi të ndryshme e lër që vargu dhe aplikimi i tij të japin përgjigjen. Kur flet me një katolik, ti mund të përdorësh Mateun 6:9, për të treguar se kujt duhet me të drejtë t’i drejtohen lutjet. Një pyetje e drejtëpërdrejtë ose një problem, mund ta drejtojë mendjen e padronit të shtëpisë në drejtim të gabuar, prandaj mund të thuash: «Ka shumë pikëpamje mbi çështjen se kujt duhet t’i lutemi. Disa thonë Marisë, të tjerë thonë njërit prej të ‘shenjtëve’, por disa thonë se duhet t’i luten vetëm Perëndisë. Kjo është ajo që ka thënë Jezui».
15 Histori të shkuara. Në qoftë se ti duhet të përdorësh Hebrenjve 9:12 në një fjalim mbi shpërblesën, për të treguar se Jezui duke ofruar gjakun e tij «mori një lirim të përjetshëm për ne», mund ta shohësh të nevojshme për t’i paraprirë leximit tënd të vargut me një shpjegim të shkurtër të «vendit të shenjtë» në tendën e adhurimit, që Pavli tregonte se paraqiste vendin ku hyri Jezui.
16 Konteksti. Nganjëherë vendosja e një teksti, siç shpjegohet nga vargjet përreth, na ndihmon në paraqitjen e një shkrimi. Për shembull, në përdorimin e shkrimit të Lukës 20:25 për të treguar se ç’do të thotë «jepini Çesarit atë që i takon Çesarit», ti mund ta shohësh të arsyeshme të shpjegosh atë që bëri Jezui me një monedhë me mbishkrimin e Çesarit, sepse tregimi ka lidhje me kontekstin.
17 Kombinimi. Sigurisht kombinimi i këtyre metodave është gjithashtu i mundshëm dhe shpesh sjell përfitim.
18 Hyrja e një shkrimi, duhet të nxisë një pritje të mjaftushme, për të zgjuar interes kur lexohet vargu dhe të përqëndroj vëmendjen mbi arsyen e përdorimit të tekstit.
19, 20. Si mund ta vendosësh nëse ke nxitur pritje për vargun e cituar.
19 Të nxisim pritje për shkrimet. Si mund ta dish se ke nxitur pritjen për një varg? Së pari nga reagimi i auditorit, por gjithashtu edhe nga mënyra me të cilën ke paraqitur vargun. Në qoftë se auditori do të qëndrojë pezull sepse nuk e ke lexuar tekstin, pasi e ke paraqitur atë ose në qoftë se lë një pyetje pa përgjigje pasi e ke paraqitur, atëherë të jesh i sigurt se ke ngjallur interes për vargun. Sigurisht, hyrja duhet të jetë në përputhje me subjektin dhe me tekstin që do të paraqesësh. Dhe vetë vargu ose aplikimi që e ndjek, duhet t’i përgjigjet pyetjes që ke lënë hapur në paraqitje.
20 Paraqitja e vargut mund të krahasohet me tingullin e një borie që parashikon një lajmërim. Lajmëtari nuk prezantohet të luajë një koncert të tërë. Përkundrazi, notat në rritje të borisë së tij, përqëndrojnë të gjithë interesin dhe vëmendjen mbi lajmërimin. Vargu që ke zgjedhur, i paraqitur në këtë mënyrë, do të dëgjohet me kënaqësi të madhe dhe me përfitim.
21. Pse duhet ta përqendrojmë vëmendjen mbi arsyen tonë të përdorimit të një vargu?
21 Të përqëndrojmë vëmendjen mbi arsyen e përdorimit të vargjeve. Edhe pse hyrja e një vargu, mund të lërë një pyetje pa përgjigje, akoma duhet së paku të furnizojë ndonjë arsye për të treguar përse vargu është i përshtatshëm dhe i denjë për vëmendje të plotë. Për shembull, në një konsiderim për tokën si një banesë e qëndrueshme e njeriut, mund të përgatitesh për të përdorur Zbulesën 21:3, 4. Bashkë me argumentin tënd paraprak, mund të thuash: «Tani në shkrimin tjetër, tek Zbulesa 21:3, 4 shikojmë vendin ku do të jetë tenda e Perëndisë, në të cilin nuk do të ketë më vuajtje dhe vdekje.» Jo vetëm ke nxitur pritjen, duke lënë diçka për t’u zbuluar nga teksti, por gjithashtu ke përqendruar vëmendjen mbi pjesën domethënëse të vargut, në mënyrë që të mund ta aplikosh lehtë argumentin pasi të lexosh tekstin. Duke drejtuar vëmendjen në përmbatjen aktuale të shkrimeve, thekso rëndësinë e fjalës së Perëndisë.