Përgatit studentët biblikë për shërbim
1 Qëllimi që kemi për të drejtuar studime biblike është që të bëjmë dishepuj të rinj, punëtorë që do të na shoqërojnë për të mësuar të tjerët. (Mat. 28:19, 20) Prandaj, qëllimi i studimit nuk është vetëm për të dhënë njohuri; por duhet të fusë besim të sinqertë tek studentët dhe t’i përgatisë ata për të ndarë shpresën e tyre me të tjerët. (2. Kor. 4:13) Në çfarë mënyrash praktike mund t’i ndihmojmë ata që të bëhen të aftë për të mësuar të tjerët?—2. Tim. 2:2.
2 Vër si qëllim shërbimin: Që në fillim, bëje të qartë se adhurimi i vërtetë përfshin «deklarimin publik për shpëtim». (Rom. 10:10) Vetë emri ynë Dëshmitarë të Jehovait, të lë të kuptosh se duhet të flasim me të tjerët. Ndihmoji të kuptojnë se ato që mësojnë, nuk janë vetëm për shpëtimin e tyre. Kur ata vetë bëhen mësues, edhe të tjerët që i dëgjojnë do të kenë mundësi për të shpëtuar.
3 Rishqyrto çfarë është mësuar: Rishqyrtimet periodike të asaj çfarë kanë mësuar janë një ndihmë e vlefshme për mësim. Këto e ndihmojnë studentin për t’u rritur frymësisht, ndërsa të vërtetat e mësuara rishtas nguliten në mendjen dhe zemrën e tij. Ne edhe vetë kemi përvojë kur u përgjigjemi pyetjeve për përsëritje që janë përfshirë në studimin e Kullës së Rojës çdo javë. Përgatit pyetje të thjeshta dhe të drejtpërdrejta për studentin çdo javë në mënyrë që t’u përgjigjet me fjalët e tij.
4 Rishqyrtimi yt mund të marrë formën e shërbimit në fushë. Paraqit një pyetje ose përshkruaj një situatë të zakonshme që ndeshet kur u dëshmon të tjerëve. Duke vepruar si një pronar shtëpie, lëre studentin të tregojë se çfarë do të thoshte ai. Lavdëroje për atë që bën mirë dhe ofroi sugjerime praktike që do ta ndihmojnë të jetë akoma më i efektshëm herën tjetër. Ky ushtrim do ta mësojë atë si të përdorë atë që ka mësuar dhe do të zhvillojë aftësinë e tij në përdorimin e Biblës.
5 Thekso rëndësinë e mbledhjeve: Mbledhjet e kongregacionit, veçanërisht mbledhjet e shërbimit dhe Shkolla e Shërbimit Teokratik, janë caktuar për të na përgatitur për shërbimin në fushë. Të gjitha parimet për një dëshmi të efektshme janë shqyrtuar dhe treguar nga ata që kanë përvojë dhe aftësi. Thekso rëndësinë e mbledhjeve dhe bëj ç’është e mundur për ta ndihmuar që t’i ndjekë ato. Ndjekja e vazhdueshme e tyre, mund t’i sigurojë studentit nxitjen e nevojshme për t’u bërë një dishepull i vërtetë i Jezuit.
6 Ai mund të ndikohet edhe nga shembulli yt personal. Dëshira dhe pjesëmarrja e rregullt në veprën e predikimit, tregon vlerësimin tënd të madh për të vërtetën. Një drejtim i tillë e inkurajon studentin të bëjë më shumë për të treguar besimin e tij. (Luka 6:40) Të gjitha këto mund ta ndihmojnë një person të ri për ta parë shërbimin si një privilegj dhe të jetë mirënjohës duke marrë pjesë në të.—1. Tim. 1:12.