Të ndihmojmë të rinjtë që të bëhen lajmëtarë
Sa emocionuese është kur shohim organizatën e Jehovait të rritet. Kur studiojmë me të interesuarit, shumë prej tyre na pyesin se si mund të kualifikohen për t’u bashkuar me ne në veprën jetëshpëtuese të predikimit dhe të mësimit. (Mateu 28:19, 20) Duke ndjekur informacionet e marra nga libri Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, në faqet 97-99, mund të ndihmojmë studentët e rinj të Biblës që të përparojnë dhe të kualifikohen për t’u bërë lajmëtarë të papagëzuar.
Lajmëtarë të rinj: Që kur fillon të drejtosh një studim biblik me një të interesuar, inkurajoje që t’u flasë të tjerëve për gjërat që mëson nga Bibla. Mund ta këshillosh që të flasë në mënyrë joformale me kushërinjtë, miqtë, kolegët dhe të tjerë. Pastaj, kur të jetë momenti dhe duke pasur parasysh përparimin e tij, nëse është i aftë ftoje që të marrë pjesë në shërbimin e fushës të organizuar nga kongregacioni. Ky është një hap i rëndësishëm në të mësuarit e të rinjve që të jenë ndjekës të Jezu Krishtit.—Mat. 9:9; Luka 6:40.
Kërkesat: Para se të ftosh dikë për të të shoqëruar për herë të parë në shërbimin e fushës, ose përpara se t’i sugjerosh që të japë një raport shërbimi në kongregacion, sigurohu nëse plotëson disa kërkesa. Duke të shoqëruar në shërbimin e fushës, ai identifikohet publikisht me kongregacionin e popullit të Jehovait. Prandaj nënkuptohet që tashmë duhet ta ketë vënë jetën e tij në harmoni me normat e drejta të Jehovait në mënyrë që të mund të jetë i aprovuar nga kongregacioni si i shoqëruar. Njëlloj vlen edhe në lidhje me bërjen e raportit të kohës që ka dedikuar në dëshminë joformale. Prandaj, edhe nëse do të doje me të vërtetë t’i ndihmoje ata me të cilët studion Biblën që të bëhen lajmëtarë të lajmit të mirë dhe për të bërë raport shërbimi në kongregacion edhe para pagëzimit, duhet të ushtrosh kujdes kur ka të bëjë me të ftuarit për të dalë për herë të parë në shërbimin e fushës. Duam të sigurohemi që kjo gjë të mos sjellë sharje mbi kongregacionin, pra, keqardhje Jehovait.
Ka shumë mundësi që duke studiuar me dikë dhe duke trajtuar me të parimet biblike, të njohësh jetën që bën ose të gjesh mënyrën për të vështruar nëse po jeton në harmoni me informacionet që ka kuptuar nga studimi i Biblës. Por janë disa aspekte të jetës së studentit që do të doje veçanërisht t’i vëreje para se ta ftoje për të të shoqëruar në shërbimin e fushës dhe para se të merrte pjesë në dëshmimin publik.
A tregon me shprehjet e tij se beson që Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë? (2. Tim. 3:16) A i njeh mësimet themelore të Biblës e i beson aq sa, kur do t’u drejtohen pyetje, të përgjigjet në harmoni me Biblën dhe jo sipas mendimeve të veta ose mësimeve të fesë së rreme? (2. Tim. 2:15; Mat. 7:21-23) A i kushton kujdes urdhrit të Biblës për t’u shoqëruar me popullin e Jehovait në mbledhjet e kongregacionit (nëse fizikisht dhe sipas rrethanave i është e mundur)? (Hebr. 10:24, 25; Psl. 122:1) A di se çfarë thotë Bibla në lidhje me kurvërinë, kurorëthyerjen, poligaminë dhe homoseksualizmin dhe a jeton në harmoni me këto mësime? Nëse jeton me një person të gjinisë tjetër, a janë të martuar në mënyrë ligjore? (Mat. 19:9; I Tim. 3:2, 12; Hebr. 13:4) A e respekton ndalimin që bën Bibla në lidhje me të dehurit? (Efes. 5:18; 1. Pjet. 4:3, 4) A mbahet i pastër nga njollosja e përdorimit të duhanit, ose e arrës betel dhe gjërave të tjera që njollosin trupin? A përmbahet nga përdorimi jo terapeutik i drogërave gjë që të çon në të mësuarit me diçka të tillë? (2. Korint. 7:1) A është shkëputur përfundimisht nga çdo organizatë e fesë së rreme në të cilën mund të ketë qenë futur dhe a ka pushuar të frekuentojë mbledhjet e tyre dhe të marrë pjesë në aktivitetet e tyre? (2. Korint. 6:14-18; Zbul. 18:4) A është i lirë nga çdo lidhje me çështjet politike të botës? (Gjoni 6:15; 15:19; Jakovi 1:27) A beson në atë që thotë Bibla tek Isaia 2:4 mbi çështjet e kombeve dhe a jeton në harmoni me të? A dëshiron të jetë me të vërtetë një Dëshmitar i Jehovait?—Psalm 110:3.
Nëse ke dyshime mbi disa prej këtyre pikave, mund të jetë e dobishme që ta ftosh për të konsultuar shkrimet e cituara këtu e pastaj t’i komentojë ato, duke u sqaruar se e kupton domethënien dhe kupton gjithashtu se, kush merr pjesë në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait duhet të bëjë një jetë në harmoni me këto kërkesa biblike. Duhet të jemi të sigurt që ata të cilët fillojnë të marrin pjesë me ne në shërbimin në fushë e dinë se çfarë pritet prej tyre. Duhet të jemi në mënyrë të arsyeshme të sigurt që janë të aftë. Kur një person i tillë dëshiron të identifikohet me Dëshmitarët e Jehovait, duke marrë pjesë publikisht në shërbimin e fushës, mund ta inkurajojmë për të dhënë një raport shërbimi.
Kur personat e ngjashëm deleve, të cilët studiojnë me ne, kualifikohen dhe aprovohen si lajmëtarë të mbretërisë, jemi mirënjohës që Jehovai, Zotëria i të korrave, i ka dëgjuar lutjet tona dhe është përgjigjur duke dërguar shumë punëtorë në të korrat frymore.—Mateu 9:37, 38.