NGA ARKIVAT TANË
«Më shumë zell e dashuri në zemra se kurrë më parë»
TEMPERATURA kish nisur të ngrihej atë mëngjes të premteje në shtator të vitit 1922 teksa 8.000 veta po dyndeshin në auditor. Drejtuesi i programit njoftoi se gjatë atij sesioni të rëndësishëm kushdo ishte i lirë të largohej, ama askush nuk do të lejohej të hynte sërish.
Gjatë pjesës hapëse «Të thurim lavde» u kënduan këngë dhe pastaj Xhozef Radhërfordi u ngjit në pultin e oratorit. Shumicën e të pranishmëve mezi e mbante vendi nga padurimi. Kishte edhe disa që bënin ecejake për shkak të vapës. Plot seriozitet, oratori u bëri thirrje të uleshin e të dëgjonin. Po kur filloi fjalimi, a e vuri re njeri vallë atë rrotull pëlhure të madhe të mbështjellë me kujdes që varej sipër?
Vëllai Radhërford trajtoi temën «Mbretëria e qiejve është afër». Për rreth një orë e gjysmë, zëri i tij i fuqishëm ushtoi nëpër sallë teksa shpjegonte se si profetët e lashtësisë e kishin shpallur pa frikë Mbretërinë që do të vinte. Fjalimi arriti pikën kulmore kur ai pyeti: «A besoni se Mbreti i lavdishëm ka filluar të mbretërojë?» Auditori u përgjigj me një britmë ushtuese: «Po!»
«Atëherë, kthehuni në fushë, o bij të Perëndisë më të lartë!—thirri vëlla Radhërfordi me zë gjëmues.—Ja! Mbreti po mbretëron! Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni!»
Në atë çast, rrotulla e pëlhurës që varej lart u shpalos me hijeshi, duke zbuluar sloganin: «Lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë.»
Rei Bopi kujtonte: «Auditori u elektrizua.» Ana Gardneri përshkruan se si «trarët dridheshin nga duartrokitjet». Fred Tuaroshi tha: «Të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë si një trup i vetëm.» Evangelos Skufasi u shpreh: «Ishte sikur një forcë e madhe na çoi pupthi nga vendi, dhe u ngritëm në këmbë me sy të përlotur.»
Shumë të pranishëm në atë kongres kishin filluar tashmë të përhapnin lajmin e mirë për Mbretërinë. Mirëpo tani i kaploi një frymë e re motivuese. Ethel Benekofi tregonte se kur u larguan, Studentët e Biblës kishin «më shumë zell e dashuri në zemra se kurrë më parë». Odesa Taku, që asokohe ishte 18 vjeçe, iku nga kongresi me vendosmërinë për t’iu përgjigjur thirrjes «Kush do të shkojë?» Ajo tha: «Nuk dija ku, si dhe çfarë. E vetmja gjë që dija ishte se doja të isha si Isaia, që tha: ‘Ja ku jam! Më dërgo mua!’» (Isa. 6:8) Ralf Lefleri tregonte: «Ajo ditë e shënuar ishte fillimi i vërtetë i fushatës për lajmërimin e Mbretërisë që sot ka përfshirë tokën mbarë.»
S’është çudi që kongresi i vitit 1922 në Sidër-Point, Ohajo, ka hyrë në faqet e historisë si një ngjarje e shënuar teokratike! Xhorxh Gangasi tha: «Ai kongres më ngjalli dëshirën që të mos humbja kurrë asnjë kongres.» E me sa kujtonte, nuk humbi as edhe një. Xhulia Uilkoksi shkroi: «Nuk gjej fjalë të përshkruaj çfarë emocioni më pushton sa herë përmendet në literaturën tonë kongresi i 1922-shit në Sidër-Point. Gjithmonë më vjen të them: ‘Faleminderit o Jehova që më dhe mundësi të isha atje!’»
Ka të ngjarë që shumë prej nesh sot të kemi kujtime të tilla të vyera nga një kongres i veçantë që na e ngriti zemrën peshë dhe na mbushi me zell e dashuri për Perëndinë tonë madhështor dhe për Mbretin e tij. Teksa i bluajmë në mend këto kujtime, edhe ne nxitemi të themi: «Faleminderit o Jehova që më dhe mundësi të isha atje!»