TEMA KRYESORE | A DO TA PRANOSH DHURATËN MË TË MADHE TË PERËNDISË?
Një dhuratë unike
XHORDANI ka në dorë mprehësen e lapsave në formë anijeje. Edhe pse e zakonshme, është një nga gjërat më me vlerë për të. Ai shpjegon: «Ma ka dhënë Rasëlli, një mik i moshuar i familjes, kur isha i vogël.» Pas vdekjes së Rasëllit, Xhordani mori vesh se ai kishte luajtur një rol kyç në jetën e gjyshit dhe të prindërve të tij, duke u dhënë zemër në kohë të vështira. Xhordani thotë: «Tani që di më shumë për Rasëllin, kjo dhuratë e vockël për mua ka më tepër vlerë se kurrë.»
Siç e tregon rasti i Xhordanit, një dhuratë mund të ketë pak ose aspak vlerë në sytë e disave. Por, për atë që e vlerëson, është e vyer e madje e paçmueshme. Po njësoj, Perëndia na dha një dhuratë me vlerë të pallogaritshme, të cilën Bibla e përshkruan me këto fjalë shumë të njohura: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.
Një dhuratë që mund të sjellë jetë të përhershme! A ka dhuratë më të çmuar se kjo? Ndonëse disa mund të mos e dallojnë vlerën e saj, të krishterët e vërtetë e konsiderojnë «të çmuar». (Psalmi 49:8; 1 Pjetrit 1:18, 19) Atëherë, pse Zoti dha jetën e Birit të tij si dhuratë për njerëzimin?
Apostulli Pavël e shpjegon me këto fjalë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit.» (Romakëve 5:12) Njeriu i parë, Adami, mëkatoi duke mos iu bindur me vetëdije Perëndisë e si pasojë u dënua me vdekje. Nëpërmjet Adamit, vdekja u përhap te pasardhësit e tij, pra te gjithë njerëzimi.
«Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Që të çlironte njerëzimin nga dënimi me vdekje, Zoti dërgoi në tokë të Birin, Jezu Krishtin, që të flijonte jetën e tij të përsosur. Në bazë të këtij flijimi, që njihet si ‘shpërblesa’, kush tregon besim te Jezui, do të jetojë përgjithmonë.—Romakëve 3:24.
Duke folur për të gjitha bekimet që Perëndia u jep adhuruesve të tij nëpërmjet Jezu Krishtit, Pavli pohon: «Faleminderit Perëndisë për dhuratën e tij të papërshkrueshme falas!» (2 Korintasve 9:15) Vërtet, shpërblesa është kaq e mrekullueshme, sa është e pamundur ta përshkruajmë plotësisht. Por, pse është veçanërisht e jashtëzakonshme ndër gjithë dhuratat bujare që Perëndia i ka bërë njerëzimit? Në cilat mënyra është unike në krahasim me dhuratat e tjera të Perëndisë?a Dhe si ta tregosh mirënjohjen për të? Të ftojmë të lexosh përgjigjet nga Bibla në dy artikujt vijues.
a Jezui me gatishmëri «dha shpirtin për ne». (1 Gjonit 3:16) Por, meqë ky flijim ishte pjesë e qëllimit të Zotit, këta artikuj përqendrohen te roli i Perëndisë si Siguruesi i shpërblesës.