Krishtlindjet: Ç’drejtim po marrin?
DHJETË vjet më parë, në muajin dhjetor, revista U.S.News & World Report botoi një artikull kryesor me temë «Në kërkim të Krishtlindjeve». Ai merrte në shqyrtim nëse Krishtlindjet po bëheshin «më të pastra, më pak materialiste». A po marrin këtë drejtim gjërat?
Në artikull jepeshin disa arsye pse nuk duhet të shpresojmë se kjo do të ndodhë. Aty thuhej: «Nuk ka asnjë të dhënë të festimit zyrtar të lindjes së Krishtit, deri në shekullin e katërt, kur Kostandini . . . u bë perandori i Romës.» Kjo tregonte, «të paktën pjesërisht, se asnjë nuk e dinte me siguri kur kishte lindur Jezui». Në artikull pranohej se «ungjijtë nuk thonë gjë as për vitin, e jo më për muajin ose ditën e saktë». Sipas një historianeje në Universitetin e Teksasit, «të krishterët e hershëm thjesht nuk ishin të interesuar të festonin lindjen e Krishtit».
Poshtë nëntitullit «Një sajim», artikulli shtjellonte «se si e zgjodhi kisha datën 25 dhjetor». Aty pranohej: «Pikëpamja më e përhapur është se kjo festë ishte një ‘krishterizim’ i qëllimshëm i Saturnaleve dhe i festave të tjera pagane.» «Duke i vendosur Krishtlindjet në fund të dhjetorit, një kohë kur njerëzit tashmë e kishin zakon të festonin, krerët e kishës u siguruan se lindja e Shpëtimtarit do të festohej gjerësisht.» Aty nga mesi i shekullit të 19-të, filloi t’i kushtohej më shumë rëndësi blerjes dhe dhënies së dhuratave. «Tradita e re e dhuratave të Krishtlindjeve solli si pasojë një burim të menjëhershëm pasurimi, kështu që shumë shpejt tregtarët dhe reklamuesit filluan ta ngrinin lart këtë periudhë të vitit.»
Pra, nuk ka arsye të shpresojmë që Krishtlindjet do të marrin ndonjë drejtim tjetër, përveçse larg krishterimit të vërtetë. Ndonëse Krishtlindjet e sotme karakterizohen nga një «materializëm ekstravagant», realiteti është se të krishterët e vërtetë nuk e mendonin kurrë të festonin lindjen e Jezuit. Në vend të kësaj, Bibla thekson shpërblesën që siguroi Krishti me anë të vdekjes së tij dhe ringjalljes në qiell. (Mateu 20:28) Pikërisht shpërblesa do të mbetet një çështje me rëndësi edhe në kohët që do të vijnë.