A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Çfarë mund ta ndihmojë një të krishterë të vërtetë, nëse një i afërm i tij largohet nga Jehovai?
Forco veten dhe familjarët e tjerë që kanë qëndruar besnikë. Zhytu në aktivitetet frymore. Ji i gatshëm të ndihmosh të tjerët. Kurrë mos i humb shpresat se ai i afërm mund të kthehet. Mos fajëso veten. Respekto masat e Perëndisë për disiplinën dhe shprehja ndjenjat e tua miqve.—1/9, faqet 18-21.
• Cilat janë dy mënyra se si na ndihmojnë Shkrimet që të identifikojmë «ditët e fundit»?
Bibla ka parathënë ngjarjet që do të ndodhnin gjatë «përfundimit të sistemit». (Mateu 24:3, 7, 8; Luka 21:11) Gjithashtu, flet edhe për ndryshimet në qëndrimet dhe veprimet e njerëzve që do të jetonin në «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5) Është domethënëse edhe se lajmi i mirë i mbretërisë do të predikohej gjatë kësaj kohe.—15/9, faqet 4-6.
• Cila është përgjegjësia e kongregacionit nëse një i krishterë, ndërsa nget makinën, bën një aksident që sjell vdekjen e të tjerëve?
Pleqtë që hetojnë çështjen mund të përcaktojnë se nuk ekziston asnjë faj gjaku, sepse shoferi kishte pak ose aspak kontroll mbi rrethanat që sollën vdekjen. Por, në qoftë se ekziston faji i gjakut dhe individi fajtor është penduar, atij do t’i jepet qortim i përshtatshëm nga Shkrimet dhe do të kufizohet për sa u përket privilegjeve në kongregacion.—15/9, faqja 30.
• Pse jeta e përhershme nuk varet nga përparimet shkencore?
Po bëhen përpjekje shkencore për të zgjatur jetën. Për shembull, shkencëtarët po orvaten të kapërcejnë atë që duket një kufi për sa i përket numrit të herëve që qelizat mund të rigjenerohen. Gjithashtu, nëpërmjet klonimit terapeutik, po përpiqen t’u sigurojnë pacientëve organe të reja që përputhen me organizmin e tyre. Por Bibla tregon se i vetmi mjet me anë të të cilit njerëzit mund të fitojnë jetën e përhershme është shpërblesa e Jezuit.—1/10, faqet 3-5.
• A ishte larja rituale judaike pararendëse e pagëzimit të krishterë?
Jo, nuk ishte. Judenjtë kryenin rite pastrimi vetë, kurse në pagëzimin e Gjonit nuk kërkohej kjo. Pastrimi që kërkonte Ligji i Moisiut duhej përsëritur, kurse pagëzimi i krishterë bëhet vetëm një herë.—15/10, faqet 12, 13.
• Çfarë është Shkolla e Stërvitjes për Shërbim?
Është një kurs tetëjavor për pleqtë e kongregacionit dhe shërbëtorët ndihmës që janë beqarë, të cilët kanë mundësi të caktohen për të shërbyer aty ku ka shumë nevojë. Ky mund të jetë kongregacioni në të cilin ishin më parë, diku tjetër në atë shtet ose në një shtet tjetër.—15/11, faqet 10, 11.
• Çfarë ose kush është antikrishti i përmendur te 1 Gjonit 2:18; 4:3?
Në një kuptim të gjerë, «antikrishti» i referohet të gjithë atyre që i kundërvihen Krishtit dhe përfaqësuesve të tij ose që, duke gënjyer, thonë se janë Krishti a përfaqësuesit e tij. Fjalët e Jezuit dhe të Gjonit tregojnë se antikrishti është një grup i përbërë nga shumë antikrishtër, të cilët përhapin mashtrime fetare dhe mohojnë Mbretërinë e Perëndisë.—1/12, faqet 4-6.