I moshuar, por jo i izoluar
PËR shkak të pleqërisë, shumë bëhen të paaftë dhe veçohen nga njerëzit e tjerë në shoqëri. Nuk ishte kështu për Fernand Rivarolin, i cili vdiq në moshën 95-vjeçare në Gjenevë të Zvicrës. Ai jetonte vetëm, sepse gruaja i kishte vdekur dhe vajza e martuar jetonte në shtëpi më vete. Ndonëse zakonisht ishte i kufizuar brenda mureve të shtëpisë, ai nuk ishte i vetmuar. Shpesh ulej pranë një tryeze në dhomën e ndenjes dhe u telefononte njerëzve për t’i përfshirë në biseda rreth Perëndisë.
Gjatë jetës së tij plot aktivitete, ishte një periudhë kur Fernandi ndodhej vërtet i izoluar. Pse? Sapo Fernandi dhe gruaja e tij u bënë Dëshmitarë të Jehovait në vitin 1939, në Evropë shpërtheu Lufta II Botërore. Fernandi iu përmbajt vendimit të tij të bazuar në Bibël që të mos i bënte keq njeriu. Për shkak të kësaj, humbi punën dhe iu desh të vuante disa periudha burgimi—gjithsej pesë vjet e gjysmë—gjatë të cilave ishte larg gruas e vajzës së vogël.
Kur mendonte për atë kohë, Fernandi thoshte: «Shumë vetave iu duk se hoqa dorë nga një punë e sigurt dhe e lashë familjen në baltë. Njerëzit më përbuznin e më trajtonin si kriminel. Megjithatë, kur mendoj për ato vite të vështira, kujtoj fare mirë se si Jehovai na mbështeti dhe na ndihmoi. Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite, por besimi im te Jehovai është po aq i patundur sa atëherë.»
Ky besim e shtynte Fernandin t’u fliste të tjerëve në telefon, për shpresën e tij të bazuar në Bibël. Kur dikush reagonte mirë, Fernandi i dërgonte me postë literaturë biblike. Më vonë i telefononte sërish për të parë nëse atij ose asaj i kishte pëlqyer literatura. Ndonjëherë njerëzit i përgjigjeshin duke i dërguar një letër në shenjë mirënjohjeje, dhe kjo e gëzonte tej mase Fernandin.
Ndoshta edhe juve mund t’ju kontaktojë dikush si Fernandi në zonën tuaj. Pse të mos e dëgjoni se ç’thotë, që të mësoni rreth besimit të tij? Dëshmitarët e Jehovait janë gjithnjë të lumtur të flasin me ju për bindjet e tyre.