«S’mund të imagjinoja një mbyllje më të bukur»
NJË mësues i shkollës së mesme në Spanjë shkroi: «Për më tepër se njëqind vjet Dëshmitarët e Jehovait kanë treguar solidaritet të vërtetë, ndershmëri të paqortueshme dhe, mbi të gjitha, besim të pathyeshëm.» Ç’gjë e nxiti këtë mësues—që e quan veten ateist—të bënte një pohim të tillë?
Gjithçka nisi kur Naomi, një nxënëse në shkollën e mesme dhe Dëshmitare e Jehovait, iu caktua të shkruante një ese si pjesë e provimit të pjekurisë. Ajo vendosi të zhvillonte temën «Trekëndëshat vjollcë nën sundimin nazist».
Pse zgjodhi këtë temë? Naomi shpjegon: «Meqë një mësues do të më ndihmonte për esenë time, mendova të shfrytëzoja këtë rast për t’i dhënë dëshmi. Historia se si Dëshmitarët e Jehovait në Gjermaninë naziste qëndruan të palëkundur ndaj parimeve të tyre, më kishte prekur në zemër. Besoja se do t’u bënte përshtypje edhe të tjerëve.»
Puna e Naomit pati një ndikim te shumë më tepër njerëz se sa mund të kishte menduar ajo. Më 5 tetor 2002, eseja e saj mori çmim në një konkurs kombëtar për kërkimet rreth shkencave natyrore dhe humanitare. Çmimet në atë konkurs i jepte një juri që përbëhej nga 20 profesorë të universiteteve spanjolle me emër.
Naomit ia dha çmimin Pilar del Kastijo, ministrja spanjolle e Arsimit. Naomi përfitoi nga rasti t’i jepte ministres videokasetën Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur përballë sulmit nazist. Ministrja e pranoi me kënaqësi dhuratën.
Më pas në Manresa, qyteti ku banon Naomi, gazeta vendëse vuri në dukje suksesin e saj në shkollë dhe bëri një recension të esesë së saj. Ndërkohë drejtoi i shkollës i kërkoi një kopje të punës së saj që ta përfshinte në një program për festimin e 75-vjetorit të shkollës së mesme.
«S’mund të imagjinoja një mbyllje më të bukur për shkollën e mesme,—thotë Naomi.—U gëzova tej mase kur lexova fjalët që mësuesi im, zoti Horhe-Tomas Kalot, shkroi në parathënien e esesë sime:
‘Jam ateist, por do të doja të isha plotësisht i bindur për ekzistencën e kësaj Qenieje Supreme që i frymëzon adhuruesit e tij me «dashuri [të vërtetë] për të afërmin»’.»