Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Në kërkim të atyre që e meritojnë, në zemër të Australisë
NJË pjesë e madhe toke në brendësi të Australisë, quhet nga banorët e atjeshëm outback. Në disa pjesë të kësaj zone të largët lajmi i mirë nuk ishte shpallur për 12 vjet. Kështu që, Dëshmitarët e Jehovait në Darvin, kryeqytetin e Territorit Verior, organizuan një fushatë intensive predikimi prej nëntë ditësh për të kërkuar ata që e meritojnë.—Mateu 10:11.
Dymbëdhjetë muaj para fushatës filloi një planifikim i hollësishëm, duke bërë edhe harta territoresh për të predikuar në më shumë se 800.000 kilometra katrorë, një sipërfaqe gati 28 herë më e madhe se ajo e Shqipërisë. Për ta kuptuar më mirë se sa e izoluar është kjo zonë, mendoni që në një fermë rrugica nga porta e jashtme deri te shtëpia është 30 kilometra e gjatë. Për më tepër, disa ferma janë 300 kilometra a më shumë larg njëra-tjetrës.
Për këtë fushatë dolën vullnetarë 145 Dëshmitarë. Disa prej tyre kishin ardhur që nga Tasmania. Disa erdhën me automjete për terren të vështirë. Me vete kishin marrë çadra dhe pajisje për të fjetur jashtë, si edhe pjesë rezervë e karburant për automjetet. Të tjerët i morën pajisjet me automjete me rimorkio. Përveç këtyre, për ata që nuk kishin mjete të përshtatshme, u morën me qira dy autobusë 22-vendësh. Ata që udhëtuan me autobus, u predikuan kryesisht banorëve të qyteteve të vogla në territorin e caktuar.
Para se të niseshin, vëllezërit përgjegjës përgatitën fjalime dhe prezantime udhëzuese se si ta shpallnin lajmin e mirë në këtë territor të veçantë. Për shembull, për të predikuar me efektshmëri në komunitetet aborigjene, zakonisht nevojitet të ndjekësh disa norma të caktuara sjelljeje dhe të njohësh zakonet e tyre. Madje, u dhanë edhe udhëzime se si të mos dëmtoheshin kafshët që rriten në natyrë.
Ata që predikuan patën shumë përvoja të këndshme. Për shembull, në një fshat me aborigjenë, vëllezërit morën masa që të mbanin një fjalim publik të bazuar në Bibël. Kryetarja e fshatit shkoi personalisht për t’i lajmëruar njerëzit për këtë. Pas fjalimit, të pranishmit morën 5 libra dhe 41 broshura. Në një fshat tjetër biseduan me një aborigjen. Ai kishte një kopje personale të Biblës, përkthim i King James Version, por që ishte e vjetër dhe e grisur. Kur e pyetën nëse e dinte emrin e Perëndisë, ai tha po, dhe pastaj nxori nga xhepi i xhaketës një numër të vjetër të revistës Kulla e Rojës. Lexoi një pjesë nga revista, duke cituar shkrimin e Markut 12:30, ku thuhet: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde.» Më pas vazhdoi: «Më pëlqen shumë ky shkrim.» Pas një bisede të gjatë, i dhanë një Bibël të re dhe botime të tjera të bazuara në Bibël.
Afër gjirit Karpentaria, administruesi i një ferme prej 400.000 hektarësh tregoi interes për mesazhin e Mbretërisë. Kur i treguan botimet Libri im i tregimeve biblike dhe Njohuria që të çon në jetën e përhershme,a ai pyeti nëse kishin literaturë në gjuhën kriol. Kjo ishte një kërkesë e pazakontë, sepse, ndonëse shumë aborigjenë e flasin gjuhën kriol, të paktë janë ata që e lexojnë. Por, siç u kuptua më vonë, të 50 punëtorët në atë fermë lexonin në gjuhën kriol. Administruesi u gëzua kur mori literaturë biblike në këtë gjuhë, dhe me kënaqësi u dha numrin e tij të telefonit, që të flisnin përsëri me të.
Gjatë nëntë ditëve të një predikimi intensiv, u shpërndanë gjithsej 120 Bibla, 770 libra, 705 revista dhe 1.965 broshura. Jo vetëm kaq, por u bënë edhe 720 rivizita dhe u filluan 215 studime biblike.
Vërtet, në të gjithë këtë zonë, ata që kishin etje frymore dhe që e meritonin, më në fund e gjetën oazën e tyre frymore.—Mateu 5:6.
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Harta në faqen 30]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
AUSTRALI
TERRITORI VERIOR
Darvin
Gjiri Karpentaria
Sidnei
TASMANI