«Diçka që duhet t’i sjellë gëzim kujtdo»
TUVALUJA, një vend i bukur i përbërë nga nëntë ishuj në Paqësorin Jugor, ka një popullsi me rreth 10.500 banorë. Megjithatë, duke e kuptuar se «vullneti [i Perëndisë] është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës», Dëshmitarët e Jehovait në atë vend dëshironin shumë të kishin botime biblike në gjuhën e tyre. (1 Timoteut 2:4) Kjo përbënte një sfidë, pasi në atë gjuhë nuk kishte asnjë fjalor. Në vitin 1979, një misionar Dëshmitar i Jehovait, që shërbente në Tuvalu, mori përsipër këtë sfidë. Ai dhe gruaja e tij jetuan me një familje vendase, mësuan gjuhën dhe gradualisht formuan një fjalor me fjalë tuvaluane. Në vitin 1984, në gjuhën tuvaluane u botua libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Dr. T. Puapua, ish-kryeministri i Tuvalusë, shkroi një letër ku shprehte vlerësimin e tij për librin Ti mund të jetosh. Ai shkroi: «Ky libër është një shtesë tjetër e re dhe shumë e rëndësishme në ‘pasuritë’ themelore të Tuvalusë. Duhet të jeni shumë të lumtur për rolin e shkëlqyer që keni luajtur ju në ndërtimin e jetës frymore të njerëzve të këtij kombi. Kam bindjen se kjo vepër do të shkruhet në historinë e Tuvalusë, për sa i përket shtypjes së librave edukativë. . . . Kjo [arritje] është diçka që duhet t’i sjellë gëzim kujtdo.»
Lista e fjalëve që kishte grumbulluar përkthyesi çoi në botimin e një fjalori tuvaluan-anglisht në vitin 1993. Ky ishte fjalori i parë për publikun e gjerë në atë gjuhë. Kohët e fundit, Këshilli Kombëtar i Gjuhësisë në Tuvalu kërkoi leje për ta përdorur fjalorin si ndihmë në punën për të krijuar fjalorin e parë të gjuhës së tyre.
Që nga 1 janari 1989, revista Kulla e Rojës del në gjuhën tuvaluane në një botim mujor. Nëse po e lexoni këtë revistë në një gjuhë të dytë që dini, përse të mos kërkoni në faqen 2 dhe të shihni nëse gjuha juaj amtare përfshihet ndër ato ku botohet Kulla e Rojës? Po të lexoni në gjuhën amtare, patjetër do të gjeni më shumë gëzim.