A duket në horizont uniteti fetar?
«Jemi dëshmitarë të një dite domethënëse në historinë e kishave tona»,—tha Kristian Krausi, president i Federatës Botërore Luterane. Në mënyrë të ngjashme, papa Gjon Pali II foli për «një gur historik në rrugën e vështirë të rindërtimit të unitetit të plotë midis të krishterëve».
Këto deklarata entuziaste erdhën si pasojë e nënshkrimit të një Deklarate Kolektive Zyrtare më 31 tetor 1999, në Augsburg, Gjermani, e cila ripohon Deklaratën e Përbashkët për Doktrinën e Justifikimit. Koha dhe vendi i ngjarjes u zgjodhën mirë. Thuhet se më 31 tetor 1517 Martin Luteri i nguli me gozhdë 95 tezat e tij në derën e katedrales në Uitenberg, duke i dhënë kështu nisjen Reformës Protestante. Sigurisht, Augsburgu ishte vendi ku luteranët në vitin 1530 paraqitën doktrinën e tyre bazë, Kredon e Augsburgut, të cilin kisha katolike e hodhi poshtë, duke shkaktuar të çarën e pambyllshme ndërmjet protestantizmit dhe katolicizmit.
A do të jetë Deklarata e Përbashkët një hap vendimtar në kapërcimin e ndarjes së kishës, siç pretendohet? Jo të gjitha palët ishin optimiste. Më shumë se 250 teologë protestantë nënshkruan një peticion kundërshtues, duke paralajmëruar që të mos gllabëroheshin nga kisha katolike. Protestantët u acaruan, gjithashtu, kur kisha katolike shpalli një falje (indulgjencë) speciale për vitin 2000, po ajo praktikë që e shpejtoi ndarjen rreth 500 vjet më parë. Dhe, meqë Kredoja e Augsburgut dhe kundërpërgjigjja katolike me Këshillin e Trentos janë ende në fuqi, nuk mund të themi aspak se është siguruar uniteti.
Ndarjet dhe mosmarrëveshjet brenda të ashtuquajturit krishterim janë shumë më të mëdha se ato që mund të arnojë nënshkrimi i ndonjë deklarate të përbashkët. Për më tepër, uniteti në besim varet nga bindje të bazuara fortësisht në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. (Efesianëve 4:3-6) Në vend që të arrihet me kompromis, uniteti i vërtetë arrihet duke mësuar dhe duke bërë atë që kërkon Perëndia prej nesh. «Të gjithë popujt, nga ana e tyre do të ecin secili në emër të perëndisë së vet,—deklaroi profeti besnik Mikea,—por ne, nga ana jonë, do të ecim në emrin e Jehovait, Perëndisë tonë, në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë.»—Mikea 4:5, BR.
[Burimi i figurës në faqen 32]
© Ralf Orlovski/ROJTERS/Fotografi të Arkivit