Një mësim nga marinari
TË LUNDROSH i vetëm në det të hapur mund të jetë një përvojë sfilitëse. Efekti mpirës i sfilitjes mund ta shtyjë me lehtësi marinarin në një kufi të rrezikshëm, që të bëjë gabime ose të marrë vendime të gabuara. Për këtë arsye, ai ia di vlerën spirancës. Ajo e lejon një marinar të lodhur të pushojë dhe të rimarrë forcat, pa rrezikun se mos shmanget nga drejtimi i caktuar. Në të njëjtën kohë, spiranca e detyron kiçin e anijes që të drejtohet nga fryn era dhe nga shkojnë dallgët, dhe e mban anijen në pozicionin më të qëndrueshëm.
Ashtu si marinarët hasin rreziqe të shumta në det, të krishterët hasin presionet e vazhdueshme të kësaj bote dhe e ndiejnë nevojën për pushim. Në fakt, një herë Jezui u rekomandoi dishepujve të tij: «Ejani ju vetë veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.» (Marku 6:31) Sot, disa veta mund të marrin disa javë pushim për të udhëtuar ose mund të dalin një fundjavë për t’u çlodhur, bashkë me familjen. Këto momente mund të jenë freskuese dhe rigjallëruese. Por, si t’ia bëjmë për t’u siguruar që jemi të sigurt frymësisht në periudha të tilla? Çfarë mund të shërbejë si spiranca jonë frymore, për të na ndihmuar t’i rezistojmë devijimit dhe të mbajmë qëndrueshmërinë?
Me bujari, Jehovai na ka siguruar një masë që e kemi në dispozicion. S’është tjetër veçse Fjala e tij e Shenjtë, Bibla. Duke e lexuar përditë atë, mund të qëndrojmë afër Jehovait dhe të mos shmangemi kurrë prej tij. Këshillat e saj mund të na bëjnë të qëndrueshëm dhe të na japin mundësi t’u bëjmë ballë tundimeve të Satanait dhe të botës së tij. Mbajtja e një programi të rregullt për leximin e Biblës, edhe kur jemi jashtë rutinës sonë, mund të shërbejë për të na ankoruar frymësisht.—Jozueu 1:7, 8; Kolosianëve 2:7.
Psalmisti na kujton se «i lumtur është njeriu, . . . kënaqësia e [të cilit] është në ligjin e Jehovait dhe në ligjin e tij ai lexon nën zë ditë e natë». (Psalmi 1:1, 2, BR) Duke e lexuar Fjalën e Perëndisë çdo ditë, do të kemi rezultatin ‘e lumtur’ se do të freskohemi dhe do të rigjallërohemi me të vërtetë, duke u përgatitur për të vazhduar në drejtimin tonë të krishterë.