Përse të falim?
«SHKENCËTARËT kanë nisur një kërkim, i cili tashmë po tregon se falja mund të kontribuojë pozitivisht në shëndetin emocional dhe, ka shumë të ngjarë, në shëndetin fizik»,—raporton The Toronto Star e Kanadasë. Gjithsesi, profesori Karl Thorësën i Universitetit Stanford, SHBA, drejtuesi i kërkimeve në Projektin Stanford për Faljen, vëren se ka «shumë pak njerëz që e kuptojnë çfarë është falja dhe si bëhet ajo».
Falja e sinqertë konsiderohet një aspekt jetësor i krishterimit. Raporti i The Toronto Star e përkufizon si «të pranosh se të është bërë një padrejtësi, të heqësh dorë nga çdo mëri që vjen si pasojë dhe, së fundi, të reagosh me dhembshuri e, madje, me dashuri ndaj personit që të ka ofenduar». Ajo duhet dalluar nga minimizimi, shfajësimi, harrimi ose mohimi i një shkeljeje, e nuk do të thotë që ta vësh veten në një situatë ku të tjerët të të shkelin me këmbë. Raporti thotë se çelësi për faljen e vërtetë është «të lirohesh nga inati dhe nga ndjenjat negative».
Kërkuesit thonë se nevojitet më shumë studim për dobitë fizike të faljes. Gjithsesi, ata raportojnë dobitë psikologjike, duke përfshirë «më pak stres, ankth dhe dëshpërim».
Një arsye e lartë për të falur është shprehur tek Efesianëve 4:32, ku thuhet: «Jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.» Kur bëhet fjalë për faljen, ashtu si për shumë aspekte të tjera, jemi të nxitur të bëhemi imitues të Perëndisë.—Efesianëve 5:1.
Të refuzojmë t’i falim të tjerët, kur ka një bazë për mëshirë, mund të ndikojë për keq në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Jehovai pret nga ne që të falim njëri-tjetrin. Atëherë mund të lutemi që ai të na falë.—Mateu 6:14; Marku 11:25; 1 Gjonit 4:11.