Kush do t’i japë fund dhunës?
NË SHTATOR të vitit 1999, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, mirëpriti delegatët për sesionin e 54-t vjetor të Asamblesë së Përgjithshme. Siç raportohet në The Toronto Star, ai u lëshoi një sfidë udhëheqësve botërorë, duke thënë: «Është i madh numri i njerëzve që kanë nevojë për më shumë sesa fjalë keqardhjeje nga komuniteti ndërkombëtar. Ata kanë nevojë për një angazhim të vërtetë dhe me prova, që t’i ndihmojë t’u japin fund cikleve të dhunës dhe t’i drejtojë në një shteg të sigurt kalimi drejt begatisë.»
A munden OKB-ja dhe kombet e saj anëtare të sigurojnë ‘angazhimin e vërtetë dhe me prova’ që duhet për t’i dhënë fund dhunës? I cituar në të njëjtin raport të Star, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, tha: «Pas tërë gjakderdhjeve të këtij shekulli, e dimë se është e lehtë të thuhet ‘kurrë më’, por shumë më e vështirë të bëhet.» Ai shtoi: «Të premtosh tepër shumë, mund të jetë po aq mizore, sa edhe të kujdesesh tepër pak.»
Më shumë se 2500 vjet më parë, profeti Jeremia tha rreth përpjekjeve njerëzore: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Atëherë, çfarë shprese ka se do t’i jepet fund dhunës?
Siç e lexojmë tek Isaia 60:18, Perëndia ka dhënë sigurinë: «Nuk do të dëgjohet të flitet më për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu.» Kjo profeci pati një përmbushje të parë kur Perëndia e riktheu popullin e tij të mërguar në atdhe. Por ka edhe një përmbushje më të madhe që mund të gëzojmë ne. Perëndia Jehova nuk po ‘premton tepër shumë’. Si Më i Larti dhe Krijuesi i njerëzimit, ai është më shumë në gjendje se kushdo tjetër për t’i dhënë fund «cikleve të dhunës». Nën Mbretërinë e Perëndisë, paqja do të mbizotërojë. Dhuna do të jetë zhdukur përgjithnjë.—Danieli 2:44.