«Do të marshoj përqark altarit tënd, o Jehova»
«DO T’I laj duart në vetë pafajësinë dhe do të marshoj përqark altarit tënd, o Jehova.» (Psalmi 26:6, BR) Me këto fjalë, mbreti David i lashtësisë shpalli devocionin e tij ndaj Jehovait. Por, përse dhe në cilin kuptim do të «marshonte përqark» altarit të Jehovait?
Për Davidin, qendra e adhurimit të Jehovait ishte tabernakulli me altarin e flijimeve, i cili ishte i veshur me bakër. Gjatë mbretërimit të tij, ky tabernakull gjendej në Gibeon, në veri të Jerusalemit. (1. Mbretërve 3:4) Altari ishte vetëm rreth 2,2 metra katrorë, shumë më i vogël se altari madhështor që do të ngrihej në oborrin e tempullit të Solomonit.a Megjithatë, Davidi kënaqej me tabernakullin dhe altarin e tij, i cili ishte qendra e adhurimit të pastër në Izrael.—Psalmi 26:8.
Në altar ofroheshin oferta të djegura, flijime të përbashkëta dhe oferta për fajin, ndërsa në Ditën e Shlyerjes vjetore ofroheshin flijime për kombin. Altari dhe flijimet që bëheshin aty kanë domethënie për të krishterët sot. Apostulli Pavël shpjegoi se altari përfaqësonte vullnetin e Perëndisë, në përputhje me të cilin Ai pranonte një flijim të përshtatshëm, për riblerjen e njerëzimit. Pavli tha: «Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë.»—Hebrenjve 10:5-10.
Kur duhej të shërbenin te altari, priftërinjtë zakonisht lanin duart në ujë, për t’u pastruar. Pra, në mënyrë të përshtatshme, mbreti David i lante duart e tij «në vetë pafajësinë» para se të ‘ecte përqark altarit’. Ai vepronte «me ndershmëri zemre dhe me drejtësi». (1. Mbretërve 9:4) Po të mos i kishte larë duart në këtë mënyrë, adhurimi i tij, domethënë ‘ecja përqark altarit’, nuk do të ishte i pranuar. Sigurisht, Davidi nuk ishte levit dhe nuk e kishte privilegjin të kryente shërbimin priftëror tek altari. Megjithëse ishte mbret, atij as nuk i lejohej të hynte në oborrin e tabernakullit. Gjithsesi, si izraelit besimplotë, ai i bindej Ligjit të Moisiut dhe i sillte rregullisht ofertat e tij që të paraqiteshin mbi altar. Ecte përqark altarit në kuptimin që e përqendronte jetën e tij në adhurimin e pastër.
A mund ta ndjekim sot shembullin e Davidit? Po. Edhe ne mund t’i lajmë duart në pafajësinë dhe të marshojmë përqark altarit të Perëndisë, nëse ushtrojmë besim në flijimin e Jezuit dhe i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër, ‘të pafajshëm nga duart dhe të pastër nga zemra’.—Psalmi 24:4.
[Shënimi]
a Ai altar ishte rreth 9 metra katrorë.
[Figura në faqen 23]
Altari përfaqësonte vullnetin e Jehovait, në përputhje me të cilin ai pranon një flijim të përshtatshëm, për riblerjen e njerëzimit.