Kur ‘erërat janë kundër nesh’
Kur po përshkruante përvojën nga jeta reale e dishepujve të Jezuit, ndërsa po luftonin për të kaluar detin e Galilesë me një barkë, shkrimtari i Ungjillit, Marku, thotë se ata «po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre». Ndërsa ishte ende në breg, Jezui e pa gjendjen e tyre të mjeruar dhe në mënyrë të mrekullueshme eci mbi det për të shkuar tek ata. Kur hipi në barkë me ta, era pushoi.—Marku 6:48-51.
Po ky shkrimtar biblik raportoi se në një rast më përpara, «shpërtheu një furtunë e madhe». Në atë rast, Jezui «e qortoi erën . . . dhe era pushoi e u bë një qetësi e madhe».—Marku 4:37-39.
Ndonëse sot nuk kemi privilegjin të jemi dëshmitarë të këtyre ngjarjeve të mrekullueshme, ne mund të mësojmë shumë gjëra prej tyre. Duke qenë njerëz të papërsosur që jetojmë në kohë të rrezikshme, ne nuk jemi të imunizuar ndaj erërave të vështirësive. (2. Timoteut 3:1-5) Në fakt, disa herë mund të ndiejmë se vuajtjet, të shoqëruara me sprova personale, arrijnë intensitetin e një furtune. Por, mund të gjejmë çlirim prej tyre. Jezui zgjat ftesën: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje.»—Mateu 11:28.
Kur duket se ‘erërat janë kundër nesh’, mund të përjetojmë ‘një qetësi të madhe’ në zemër. Si? Duke besuar te premtimet e padështueshme të Perëndisë Jehova.—Krahaso Isainë 55:9-11; Filipianëve 4:5-7.