Ato «iu druajtën Perëndisë së vërtetë»
KUR izraelitët ishin skllevër në Egjipt, mamitë hebreje Shifrah dhe Puah u gjendën në një pozitë të vështirë. Në përpjekje për të kontrolluar shtimin e shpejtë të popullsisë së huaj, faraoni i urdhëroi këto gra: «Kur do të ndihmoni gratë hebreje lindëse . . . , në rast se fëmija është mashkull, vriteni.»—Eksodi 1:15, 16.
Shifrah dhe Puah «iu druajtën Perëndisë së vërtetë», kështu që morën kurajë dhe «nuk bënë siç u kishte folur mbreti i Egjiptit». Në vend të kësaj, ato i lanë gjallë fëmijët meshkuj, edhe pse ky qëndrim i guximshëm mund t’i kishte vënë në rrezik. Jehovai «i trajtoi mirë mamitë» dhe i shpërbleu për veprimet e tyre jetëshpëtuese.—Dalja (Eksodi) 1:17-21, BR.
Ky tregim thekson çmueshmërinë e Jehovait për ata që i shërbejnë atij. Ai fare mirë mund ta kishte konsideruar thjesht si humanitar veprimin e guximshëm që bënë Shifrah dhe Puah. Në fund të fundit, asnjë grua me mendje të shëndoshë nuk do të vriste fëmijë! Megjithatë, Jehovai pa dyshim mori në konsideratë faktin që disa njerëz, nga frika e njeriut, kanë kryer veprime të neveritshme. Ai e dinte se këto mami nuk shtyheshin vetëm nga dashamirësia njerëzore, por edhe nga druajtja dhe nga devocioni hyjnor.
Sa mirënjohës mund të jemi që i shërbejmë një Perëndie i cili mban parasysh veprimet tona besnike! Vërtet, ndoshta askush nga ne nuk ka hasur sprovën e besimit që hasën Shifrah dhe Puah. Por, kur qëndrojmë të palëkundur në anën e asaj që është e drejtë, qoftë në shkollë, në vendin e punës, qoftë në ndonjë situatë tjetër, Jehovai nuk e nënvlerëson dashurinë tonë besnike. Përkundrazi, ai «është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë». (Hebrenjve 11:6) Po, «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve».—Hebrenjve 6:10.