A e do jetën?
«MË LINI të shoh dritën.» Thuhet se këto fjalë ua ka thënë poeti italian, Xhakomo Leopardi, atyre që po kujdeseshin për të, pikërisht në momentet e fundit para vdekjes. Fjalët na lënë të kuptojmë dashurinë e madhe të njeriut për jetën, e cila përfaqësohet nga drita.
Dashuria për jetën është një impuls i çmuar që e shtyn pjesën më të madhe të njerëzve të shmangin rreziqet dhe të bëjnë gjithë sa munden, që të vazhdojnë të jetojnë. Në këtë aspekt, njeriu nuk ndryshon shumë nga kafshët, të cilat kanë një instinkt të fortë për mbijetesë.
Por, çfarë lloj jete ia vlen vërtet të jetojmë dhe të duam? Nuk është vetëm ekzistenca fiziologjike, thjesht frymëmarrja dhe lëvizja. Po ashtu, kënaqësia në përgjithësi nuk vjen as nga mënyra e jetesës «nxirr sa më shumë që të mundësh nga jeta». Filozofia epikuriane, «le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim» në tërësi nuk u ka sjellë kënaqësi njerëzve. (1. Korintasve 15:32) Edhe pse njeriu ka patjetër një numër nevojash bazë materiale, ai ka edhe interesa kulturore e shoqërore, për të mos përmendur nevojat frymore, të cilat lidhen me besimin te një Qenie Supreme. Është për të ardhur keq që qindra milionë, për të mos thënë miliarda njerëz, nuk gëzojnë gjë tjetër veç ekzistencës së thjeshtë, për shkak të kushteve të mjerueshme shoqërore dhe të mjedisit, që ekzistojnë në shumë pjesë të globit. Të gjithë ata që kufizohen kryesisht në plotësimin e nevojave të tyre fizike, pra, për të ngrënë, për të pirë, për të pasur zotërime ose për të plotësuar dëshirat seksuale, bëjnë pak a shumë një jetë si kafshët, nga e cila nxjerrin fare pak kënaqësi. Në fakt, ata nuk i vënë në përdorim burimet më domethënëse që ofron jeta, për të përmbushur intelektin dhe ndjenjat njerëzore. Për më tepër, të gjithë ata që kërkojnë të kënaqin vetëm dëshirat e tyre egoiste, jo vetëm që dështojnë të nxjerrin më të mirën nga jeta, por dëmtojnë, gjithashtu, shoqërinë në të cilën jetojnë dhe nuk përkrahin interesat e të tjerëve.
Duke vërtetuar këtë, një gjykatës, i cili trajton çështjet e të miturve që kryejnë shkelje të ligjit, thotë se «kriza e vlerave morale, lartësimi i personaliteteve negative që merren si shembuj për t’u imituar dhe suksesi i metodave për t’u pasuruar shpejt e me lehtësi», kanë prirjen të «nxitin një frymë të tepruar konkurrence». Kjo çon në një sjellje që dëmton shoqërinë dhe shkatërron të rinjtë, veçanërisht kur këta të fundit fillojnë të përdorin drogën.
Dihet që jeta ofron shumë gjëra tërheqëse: pushime në vende magjepsëse, libra interesantë për të lexuar e mundësi për të bërë kërkime interesante, shoqëri të këndshme dhe muzikë të bukur. Gjithashtu, ka aktivitete të tjera që sjellin kënaqësi të mëdha e të vogla. Ata që kanë besim të thellë te Perëndia e në veçanti te Perëndia i Biblës, Jehovai, kanë akoma më shumë arsye për ta dashur jetën. Besimi i vërtetë është një burim force dhe qetësie që mund t’i ndihmojë njerëzit të përballojnë kohët e vështira. Ata që besojnë te Perëndia i vërtetë mund të thonë të sigurt: «Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë.» (Hebrenjve 13:6) Njerëzit që e njohin dashurinë e Perëndisë e ndiejnë se ai i do. Ata i përgjigjen dashurisë së tij, duke nxjerrë shumë gëzim prej kësaj. (1. Gjonit 4:7, 8, 16) Ata mund të bëjnë një jetë aktive dhe altruiste, e cila është burim kënaqësie. Është tamam ashtu siç tha Jezu Krishti: «Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.»—Veprat 20:35.
Mjerisht, jeta e tanishme ka edhe një faqe tjetër. Ekzistojnë, në një masë të madhe, vuajtje, padrejtësi, varfëri, sëmundje dhe vdekje, për të përmendur vetëm disa nga aspektet e dhimbshme që shpesh e bëjnë jetën pothuajse të padurueshme. Mbretit të pasur, të fuqishëm e të mençur të kombit të lashtë izraelit, Solomonit, nuk i mungonte asnjë nga burimet që mund t’i bëjnë njerëzit të lumtur. E megjithatë, atë e turbullonte diçka: konstatimi se kur të vdiste, do t’i duhej t’ia linte dikujt tjetër gjithçka që i kishte sjellë ‘puna e tij me mund’, e kryer «me dituri, me zgjuarsi dhe me sukses».—Predikuesi 2:17-21.
Ashtu si Solomoni, shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për shkurtësinë e jetës, e cila kalon tutje tepër shpejt. Shkrimet thonë se Perëndia ‘ka vendosur përjetësinë në mendjen tonë’. (Predikuesi 3:11, Byington) Kjo ndjenjë e përjetësisë e shtyn njeriun që të meditojë për shkurtësinë e jetës. Përfundimisht, pa gjetur përgjigje bindëse për domethënien e jetës dhe të vdekjes, njerëzit mund të rëndohen gradualisht me ndjenja pesimizmi dhe pavlefshmërie. Kjo mund ta bëjë jetën të trishtueshme.
A ekzistojnë përgjigje për pyetjet plot angështi të njeriut? A do të ekzistojnë ndonjëherë kushtet për ta bërë jetën më tërheqëse dhe të gjatë?