Pse të besojmë në Jezu Krishtin?
«EDHE shumë njerëz që nuk janë të krishterë besojnë se Ai ishte një mësues i madh e i mençur. Ai ishte pa dyshim një nga njerëzit më me influencë që kanë jetuar ndonjëherë.» (The World Book Encyclopedia) Kush është «Ai»? Jezu Krishti, themeluesi i krishterimit.
Por, pavarësisht nga ajo që thotë enciklopedia, për qindra milionë njerëz që jetojnë në Lindje e gjetkë, Jezu Krishti është një i panjohur, thjesht një emër që e kujtojnë nga librat e shkollës së mesme. Edhe nëpër kishat e të ashtuquajturit krishterim ka teologë dhe klerikë që thonë se në të vërtetë askush nuk e njeh Jezuin dhe hedhin dyshime mbi vërtetësinë e katër jetëshkrimeve ekzistuese për të (Ungjijtë) që gjenden në Bibël.
A mund ta kenë trilluar shkrimtarët e Ungjillit historinë e jetës së Jezuit? Aspak! Historiani i mirënjohur Uill Durant, pasi analizoi tregimet e Ungjijve, shkroi: «Që disa njerëz të thjeshtë të kenë sajuar brenda një brezi një personalitet kaq të fuqishëm dhe tërheqës, një etikë kaq të lartë dhe një vizion kaq frymëzues të vëllazërisë njerëzore, do të ishte një mrekulli shumë më tepër e pabesueshme nga të gjitha ato të regjistruara nëpër Ungjij. Pas dy shekujsh të një kritike të lartë, profili i jetës, personalitetit dhe mësimit të Jezuit mbeten të qarta në mënyrë të konsiderueshme dhe përbëjnë aspektin më mahnitës të historisë së njeriut perëndimor.»
Prapëseprapë, ka nga ata që mendojnë se nuk ia vlen t’i kushtojnë vëmendje Jezu Krishtit, duke pasur parasysh se çfarë kanë bërë ata që mbahen për ithtarët e tij. ‘Ata hodhën bombën atomike mbi Nagasakin,—thonë disa në Japoni,—dhe Nagasaki kishte më shumë të krishterë se çdo qytet tjetër i Japonisë.’ Por, a mund t’ia vësh fajin mjekut për sëmundjen e një pacienti, kur ky i fundit nuk ka ndjekur udhëzimet e mjekut? Shumica e njerëzve që pohojnë se janë të krishterë ka shumë kohë që e kanë shpërfillur recetën e Jezuit për të shëruar plagët e njerëzimit. Por, Jezui dha zgjidhjen e problemeve tona të përditshme, si edhe të halleve të të gjithë njerëzimit. Ja përse të ftojmë të lexosh artikullin vijues dhe ta shohësh vetë se çfarë njeriu ishte ai.