Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
«Për Perëndinë çdo gjë është e mundur»
FJALËT e mësipërme, të cilat gjenden në Mateun 19:26, dolën të vërteta për një të re në Venezuelë. Pasi mësoi të vinte besim të plotë në Jehovain, ajo mundi të kapërcente një problem të rëndë. Ajo tregon:
«Gjyshja ime ishte shumë e dashur dhe e përzemërt. Mjerisht, ajo vdiq kur unë isha 16 vjeçe. Vdekja e saj ishte një goditje e rëndë për mua. Humba ekuilibrin mendor e madje nuk doja as të dilja në oborr. Përfundimisht, u mbylla pothuajse plotësisht në vetvete.
Nuk shkoja në shkollë dhe as nuk isha në punë. Thjesht rrija në dhomën time. E vetmuar dhe pa miq, rashë në një gjendje depresioni të rëndë. Ndihesha krejt e pavlefshme dhe doja të vdisja e t’i jepja fund gjithçkaje. Vazhdoja të pyesja veten: ‘Përse ekzistoj?’
Mamaja merrte revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! nga një Dëshmitare e re në moshë me emrin Xhizela. Një ditë, mamaja e pa Xhizelën që po kalonte para shtëpisë sonë dhe i kërkoi nëse mund të më ndihmonte. Xhizela pranoi të provonte një herë, por unë nuk desha ta takoja. Kjo gjë nuk e sprapsi Xhizelën. Ajo më shkroi një letër dhe më tha se donte të ishte shoqja ime dhe se edhe dikush tjetër, që ishte shumë më i rëndësishëm se ajo, donte të ishte miku im. Ajo tha se ky person ishte Perëndia Jehova.
Kjo gjë më preku dhe iu përgjigja letrës së saj. Për tre muaj patëm korrespondencë. Vetëm pas shumë shtytjesh e nxitjesh nga Xhizela, më në fund gjeta guximin për ta takuar. Në takimin e parë, Xhizela studioi Biblën me mua, duke përdorur librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Pas studimit, ajo më ftoi të ndiqja një mbledhje në Sallën lokale të Mbretërisë. U zura në befasi. Nuk kisha dalë nga shtëpia për katër vjet dhe mendimi që do të isha në rrugë më tmerronte.
Xhizela u tregua shumë e durueshme me mua. Ajo më siguroi se nuk kishte asgjë për të pasur frikë dhe se do të më shoqëronte vetë në mbledhje. Përfundimisht pranova. Kur mbërritëm në Sallën e Mbretërisë, fillova të dridhesha e të djersija. Nuk arrija të përshëndetja asnjë. Megjithatë, pranova të vazhdoja t’i ndiqja mbledhjet dhe Xhizela me besnikëri më thërriste çdo javë.
Për të më ndihmuar që të kapërceja nervozizmin, Xhizela më çonte në mbledhje shumë herët. Qëndronim te dera dhe përshëndetnim të gjithë ata që vinin. Në këtë mënyrë, kisha përballë vetëm një ose dy veta çdo herë, në vend se një grup të tërë. Kur mendoja se nuk ia dilja dot më, Xhizela më citonte Mateun 19:26: ‘Për njerëzit, kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.’
Edhe pse nuk ishte e lehtë, me kalimin e kohës arrita të ndiqja një grumbullim edhe më të madh njerëzish, në një asamble qarkore. Sa hap kolosal qe ky për mua! Në shtator të vitit 1995, mora guximin të flisja me pleqtë për t’u angazhuar në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Gjashtë muaj më vonë, në prill të vitit 1996, e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait me anë të pagëzimit në ujë.
Kur dikush kohët e fundit më pyeti se si e gjeta guximin për të bërë këtë, iu përgjigja: ‘Dëshira për t’i pëlqyer Jehovait është më e madhe se frika që kam.’ Edhe pse me raste kam akoma periudha depresioni, gëzimi im shtohet nga shërbimi si pioniere e rregullt. Duke parë prapa, më duhet të bie dakord me Xhizelën. Tani kam një Mik që interesohet për mua e që ‘më jep fuqi’.»—Filipianëve 4:13, BR.
[Figurat në faqen 8]
«Dëshira për t’i pëlqyer Jehovait është më e madhe se frika që kam»