Së shpejti dhuna do të mbarojë përgjithmonë!
«Dhuna rrezikon kombin»—The New York Times, Shtetet e Bashkuara.
«Dhunë në shtëpi»—O Globo, Brazil.
«Dhuna gjurmon gratë e botës»—The Globe and Mail, Kanada.
KËTA tituj gazetash nga Amerika e Veriut dhe e Jugut ilustrojnë një prirje që po e shqetëson mbarë botën. Siç komentoi së fundi Organizata Botërore e Shëndetësisë, «dhuna në të gjitha format e saj është rritur në mënyrë kritike dekadat e fundit».
Shqyrto disa statistika që të bëjnë të mendosh:
Vrasjet. Në Amerikën Latine dhe në Karaibe, çdo ditë rreth 1.250 njerëz gjejnë vdekjen nga dhuna. Për pasojë, «në gjysmën e vendeve të këtij rajoni, vrasja është shkaku i dytë kryesor i vdekjes në të rinjtë e moshës 15-24 vjeç».
Dhuna kundër fëmijëve. Abuzimi me fëmijët në mënyrë fizike, seksuale dhe emocionale është një problem kudo në botë. Për shembull, «anketa të bëra tek të rriturit në disa vende të industrializuara sugjerojnë që 10%–15% e fëmijëve janë viktima të abuzimit seksual dhe shumica prej tyre janë vajza».
Dhuna kundër grave. Pasi hetuan mbi abuzime të të drejtave të njeriut të kryera në mbarë botën në vitin 1997, kërkuesit nxorën përfundimin se «dhuna në shtëpi ka qenë një ndër shkaqet kryesore të dëmtimeve të grave pothuajse në çdo vend të botës». (Human Rights Watch World Report 1998) Dhuna në shtëpi, e cila është një problem shumë i përhapur, por ende i paraportuar, tani quhet «kriza e heshtur e shekullit të 20-të».—The Globe and Mail, Kanada.
Në ditët e Noes toka ishte «plot e përplot me dhunë», ashtu si sot. (Zanafilla 6:9-12) Por Perëndia Jehova e ruajti të gjallë atë «predikues të drejtësisë» dhe familjen e tij, «kur solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm». Një veprim të ngjashëm Perëndia do ta ndërmarrë në ditët tona. Ai do t’i ruajë «njerëzit me devocion hyjnor», kur të eliminojë të dhunshmit e të ligjtë dhe ta bëjë këtë tokë një parajsë, në botën e re që ka premtuar. (2. Pjetrit 2:4-9; 3:11-13) A nuk rrëqethesh kur mëson se së shpejti dhuna do të mbarojë përgjithmonë?