Paqja botërore prej cilit burim?
A DO ta sjellë paqen botërore globalizimi i edukimit dhe i fesë? Kjo është dëshira e dr. Robert Myler, ish-zëvendës sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe fitues, në vitin 1989, i Çmimit të UNESCO-s për Edukim për Paqen. Siç raportohet në gazetën The Vancouver Sun, dr. Myler është «i bindur se të gjithë studentëve të globit duhet t’u mësohen një seri faktesh dhe vlerash rreth planetit, njerëzimit dhe kundër dhunës». Ai imagjinon ditën kur përreth botës, të gjitha institucionet e arsimimit do t’u mësojnë fëmijëve se Kombet e Bashkuara janë shpresa më e mirë për paqen. Siç raporton revista Sun, ai beson, gjithashtu, se «të gjitha fetë e botës duhet të bëhen anëtare të një organizate të re të ngjashme me Kombet e Bashkuara, e cila do të quhet Fetë e Bashkuara». Pastaj, «të gjitha mësimet fetare do të përkrahin lëvizjen kundër dhunës».
A do të bëhet ndonjëherë realitet paqja botërore? Pa dyshim që po! Por jo me anë të ndonjë ndërhyrjeje nga njerëzit. Më shumë se 2.700 vjet më parë, një shkrimtar i frymëzuar identifikoi burimin më të lartë të edukimit për paqe, kur paratha se njerëzit e drejtë në zemër do të «mësohen nga Jehovai» dhe paqja e tyre do të jetë «e bollshme».—Isaia 54:13, BR.
Bibla thotë se Perëndia është ai «që jep paqe». (Romakëve 16:20, BR) Madje që tani po zhvillohet një program i mrekullueshëm edukimi global, ndërsa Jehovai e mëson popullin e tij të «kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë», të «farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plugje» e të ‘mos mësojnë më luftën’.—1. Pjetrit 3:11; Isaia 2:2-4.
Perëndia miraton dhe bekon adhurimin që është i themeluar mbi të vërtetën e që është pa hipokrizi dhe mashtrim. (Mateu 15:7-9; Gjoni 4:23, 24) Vetëm adhurimi i vërtetë që është plotësisht në harmoni me Fjalën e Perëndisë, mund t’i bëjë njerëzit që të jetojnë në paqe e unitet dhe që të kenë dashuri të vërtetë për njëri-tjetrin.—Gjoni 13:35.
Për të mësuar më shumë rreth asaj që thotë Fjala e Perëndisë lidhur me paqen botërore, të ftojmë të kontaktosh botuesit e kësaj reviste.