«Jeni ashtu si pret Perëndia që të jemi ne»
DUKE bashkëpunuar me autoritetet botërore «për hir të Zotërisë», të krishterët mund të presin që të marrin ‘lavdërim [si] bërës të së mirës’. (1. Pjetrit 2:13-15, BR) Dëshmitarët e Jehovait në Afrikën e Jugut e përjetuan këtë pak kohë më parë, në një kongres krahinor që mbajtën në sallën e godinës së një kolegji.
Ditën e parë të kongresit, shërbimi i sigurimit të kolegjit u përgatit për të pritur numrin e zakonshëm të delegatëve zemërakë e që nuk bashkëpunonin, siç kishin pasur përvoja me lloje të tjera kongresesh. Por ngaqë nuk kishin pasur të bënin kurrë më parë me Dëshmitarët e Jehovait, ata i priste një surprizë e këndshme!
Si pjesë e kontrollit të rregullt të sigurisë nëpër porta, shërbimi i sigurimit kontrollonte çdo makinë që hynte e dilte nga prona. Ata u mahnitën kur njerëzit i përshëndetën me miqësi, durim dhe respekt, edhe pse kontrollet i vonuan delegatët. Nuk kishte asnjë që si zakonisht të bënte rezistencë, të argumentonte ose të përdorte të folur fyes. «Ndryshe nga vizitorët e tjerë,—vërejti një punonjës i sigurimit,—ju shfaqni një frymë të përulur dhe dinjitet të qetë që janë shumë të qartë për të gjithë ne.»
Kur pa sjelljen bashkëpunuese të Dëshmitarëve të Jehovait, shefi i sigurimit vendosi se nuk ishte e nevojshme të kontrolloheshin makinat, «sepse,—tha ai,—ju jeni shumë të disiplinuar». Për pasojë, makinave që ishin identifikuar me etiketa «DJ» të parkingut, u lejohej të hynin pa kontroll.
Në fund të kongresit, shefi i sigurimit tha se shpresonte t’i shihte përsëri së shpejti Dëshmitarët. «Nuk kemi parë kurrë njerëz kaq të sjellshëm,—pohoi ai.—Jeni ashtu si pret Perëndia që të jemi ne.» Ky lavdërim është një nxitje e mëtejshme për të krishterët e vërtetë që të ‘mbajnë një sjellje të shkëlqyer’, kështu që njerëzit ‘të mund t’i japin lavdi Perëndisë si rezultat i veprave të shkëlqyera për të cilat janë dëshmitarë okularë».—1. Pjetrit 2:12, BR.