Një mbret me pasuri dhe mençuri
A mendon se pasuritë do të të bënin të lumtur? Nëse dikush do të të jepte një sasi të madhe parash, a nuk do të ishe i kënaqur? Ndoshta po. Ka të ngjarë që të mendoje se si do t’i shpenzoje.
PRANOHET se ka plot gjëra për t’u blerë dhe për ta bërë jetën më të rehatshme e më të këndshme. Paratë mund të shërbejnë edhe si «një mbrojtje» nga problemet e papritura, të tilla si sëmundjet ose papunësia.—Predikuesi 7:12.
Por cila është marrëdhënia ndërmjet parave dhe lumturisë? A mendon, siç mendojnë shumë persona, se lumturia është një nënprodukt i pasurisë? Të gjesh përgjigjen e këtyre pyetjeve mund të jetë e vështirë, sepse paratë mund të numërohen apo llogariten me lehtësi, ndërsa lumturia jo. Lumturinë nuk mund ta vësh në një peshore dhe ta matësh.
Veç kësaj, disa njerëz të pasur duket se janë të lumtur, ndërsa të tjerë janë të vuajtur. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për ata që janë të varfër. Megjithatë, shumica e njerëzve, edhe ata që tashmë janë të pasur, mendojnë se më shumë para do t’u sjellin lumturi më të madhe.
Një person që shkroi për çështje të tilla, ishte mbreti Solomon i Izraelit të lashtë. Ai ishte një prej njerëzve më të pasur që kanë jetuar ndonjëherë. Një përshkrim të kësaj pasurie të stërmadhe mund ta lexosh në Bibël, në kapitullin 10 të librit të parë të Mbretërve. Vëre, për shembull, se 1Mb 10 vargu 14 pohon: «Pesha e arit që Solomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari.» Kjo shifër është e barabartë me 25 ton ar. Sot, kjo sasi e madhe ari do të vlente më shumë se 200.000.000 dollarë!
Por Solomoni nuk ishte vetëm i pasur; ai ishte bekuar nga Perëndia me mençuri. Bibla thotë: «Mbreti Solomon ua kaloi në pasuri dhe dituri [mençuri, BR] tërë mbretërve të tokës. Dhe tërë bota kërkonte praninë e Solomonit për të dëgjuar diturinë [mençurinë, BR] që Perëndia kishte vënë në zemrën e tij.» (1. Mbretërve 10:23, 24) Edhe ne mund të nxjerrim dobi nga mençuria e Solomonit, sepse shkrimet e tij janë pjesë e dokumentimit të Biblës. Le të shohim se ç’tha ai për marrëdhënien ndërmjet pasurisë dhe lumturisë.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Riprodhuar nga Die Heilige Schrift - Übersetzt von Dr. Joseph Franz von Allioli. Druck und Verlag von Eduard Hallberger, Stuttgart