A është shkruar më përpara e ardhmja jonë?
I KRISHTERË, mysliman, hebre, hindu ose besimtar i një feje tjetër, njerëzit e të gjitha besimeve përjetojnë tragjedi dhe hidhërohen për shkak të tyre.
Për shembull, më 6 dhjetor 1997, në qytetin siberian të Irkutskut ndodhi një tragjedi e tmerrshme. Një aeroplan i madh transporti AN-124 sapo ishte shkëputur nga toka, kur dy motorë të tij u dogjën. Aeroplani, plot me lëndë djegëse, u plandos mbi një kompleks banimi. Flakët përpinë një numër të madh apartamentesh, duke u sjellë vdekjen dhe dëmtimin shumë banorëve të pambrojtur, përfshirë edhe fëmijëve të pafajshëm.
Në zonën e Siberisë, ku ndodhi ky aksident, ka të ngjarë që të ketë njerëz me pikëpamje të ndryshme fetare. Disa mund të shprehin besimin te krishterimi, por megjithatë, ata mund të kenë menduar se tragjedia ishte një rezultat i fatit. Ata dhe të tjerët mund të mendojnë se ‘ky ishte vullneti i Perëndisë’ dhe se ‘nëse ata që u vranë nuk do të vdisnin në këtë mënyrë, do të kishin vdekur në një mënyrë tjetër; ky ishte fati i tyre’.
Një mënyrë e tillë të menduari, e shprehur ose jo me fjalë, pasqyron një koncept që zë vendin e tij në shumë fe përreth globit: fati. Shumë njerëz mendojnë se e ardhmja jonë, që nga dita e lindjes e deri në ditën e vdekjes, është disi e shkruar më përpara.
Besimi te fati merr forma të ndryshme, duke e bërë kështu të vështirë një përkufizim që i përfshin të gjitha. Në thelb, fati përçon idenë se çdo gjë që ndodh, çdo veprim, çdo ngjarje, qoftë e mirë ose e keqe, është e pashmangshme; ajo është e paracaktuar të ndodhë, sepse është përcaktuar më parë nga një forcë më e lartë, përtej kontrollit të njeriut. Një koncept i tillë mund të gjendet në astrologji, në karmanin e hinduizmit dhe të budizmit, si dhe në doktrinën e të ashtuquajturit krishterim mbi paracaktimin. Në Babiloninë e lashtë, njerëzit besonin se perënditë kontrollonin fatin dhe të ardhmen me anë të një dokumenti të shkruar. Mendohej se çdo perëndi që kontrollonte këto «pllaka të fatit», mund të vendoste fatet e njerëzve, të mbretërive e madje edhe të vetë perëndive.
Shumë besimtarë mendojnë se me anë të dekretit hyjnor përpara se njerëzit të lindin, Perëndia përcakton të gjithë atë që do t’u ndodhë njerëzve, përfshirë edhe gjatësinë e jetës së tyre, nëse do të jetë mashkull ose femër, i varfër ose i pasur, me halle ose i lumtur. Thuhet se të gjitha këto ekzistojnë në mendjen e Perëndisë ose janë shkruar në një libër, përpara se të ndodhin. Kështu, nuk është e pazakontë që kur godet një katastrofë, një besimtar të thotë «mektoub», është e shkruar! Arsyetimi që bëhet është se përderisa Perëndia di gjithçka që më përpara, ai duhet të përcaktojë edhe se kush do t’i bindet dhe kush nuk do t’i bindet. Kështu, shumë përkrahës besojnë që edhe përpara se të lindë një person, Perëndia e ka përcaktuar tashmë nëse është i paracaktuar për lumturi të përhershme në Parajsë apo do të marrë dënim të përhershëm.
Ti mund të mendosh se kjo duket shumë e ngjashme me doktrinën e paracaktimit, që mësohet në disa kisha të të ashtuquajturit krishterim. Mbrojtësi më i flaktë protestant i paracaktimit ishte reformuesi francez i shekullit të 16-të, Xhon Kalvin. Ai e përkufizoi paracaktimin si «dektretin e përjetshëm të Perëndisë, me anë të të cilit ai përcaktoi atë që dëshironte të bënte me çdo njeri. Jo të gjithë krijohen në të njëjtën gjendje, por për disa është paracaktuar jeta e përhershme, ndërsa për të tjerët mallkimi i përjetshëm». Kalvin pohonte, gjithashtu: «Perëndia jo vetëm që e parashikoi rënien e njeriut të parë, dhe në të rrënimin e gjithë pasardhësve të tij, por edhe e organizoi atë sipas qejfit të vet.»
Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e feve që mësojnë paracaktimin ose fatalizmin e besojnë atë personalisht. Disa me të drejtë vënë në dukje se shkrimet fetare përmendin vullnetin e lirë të njeriut. Në fakt, ka pasur polemika të mëdha në lidhje me veprimet njerëzore, nëse janë pasoja të një zgjedhjeje të lirë njerëzore apo janë të paracaktuara nga Perëndia. Disa, për shembull, kanë argumentuar se njeriu duhet të jetë i lirë të zgjedhë dhe të veprojë, përderisa Perëndia, që është i drejtë, e konsideron njeriun përgjegjës dhe i kërkon llogari për veprimet e tij. Të tjerë kanë thënë se Perëndia krijon veprimet e njeriut, por njeriu, në një mënyrë a në një tjetër, «i fiton» ato dhe bëhet përgjegjës për to. Por, në përgjithësi, shumë besojnë se çdo ngjarje, e madhe ose e vogël, e jetës sonë të përditshme është dekretuar nga Perëndia.
Si mendon ti? A e ka përcaktuar tashmë Perëndia se si do të jetë e ardhmja jote? A e kanë me të vërtetë njerëzit vullnetin e lirë, aftësinë për të bërë zgjedhje reale në lidhje me të ardhmen e tyre? Deri në ç’masë varet përfundimi ynë i mundshëm nga veprimet tona? Artikulli vijues do të përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.
[Burimi i figurës në faqen 3]
SEL/Sipa Press