«Të forta dhe bindëse»
«DUKE filluar që nesër, do ta përdor në veprën e predikimit, sepse argumentet që përmban janë vërtet të forta dhe bindëse»,—shkroi një Dëshmitar i Jehovait nga Franca. Një Dëshmitar nga Shtetet e Bashkuara shkroi: «E lexova menjëherë dhe mezi pres ta përdor në shërbimin në fushë, sepse takojmë shumë njerëz që janë apatikë dhe që nuk e vënë besimin në Bibël.» Çfarë po përshkruanin ata? Broshurën me 32 faqe, të titulluar Një libër për të gjithë njerëzit, e cila doli nga Shoqata Watch Tower në kongresin krahinor «Besim në Fjalën e Perëndisë», që u mbajt gjatë vitit 1997/1998.
Ky botim u përgatit me një auditor të veçantë në mend: ata që mund të jenë të arsimuar, por që dinë shumë pak në lidhje me Biblën. Shumë individë të tillë mund të kenë disa opinione të përcaktuara për Biblën, megjithëse personalisht s’e kanë lexuar asnjëherë. Qëllimi i broshurës është ta bindë lexuesin që, më të paktën, Bibla vlen të shqyrtohet. Broshura nuk e shtrëngon lexuesin të pranojë pikëpamjen se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Në vend të kësaj, ajo i lë faktet të flasin vetë. Formulimi nuk është pompoz, por i qartë dhe i thjeshtë.
Siç tregojnë komentet e cituara më sipër, ata që qenë të pranishëm nëpër kongrese, ishin të paduruar për ta përdorur këtë broshurë në shërbimin e tyre në fushë. Për shembull, në Francë, më 23 dhe 24 gusht u organizua një fushatë e veçantë dëshmie, ku me qindra mijëra vizitorë të rinj u mblodhën nga e gjithë bota në Paris, për Ditën Botërore të Rinisë. Rreth 2.500 Dëshmitarë (kryesisht të moshës 16-30-vjeçare) lanë 18.000 kopje të broshurës në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, polonisht dhe spanjisht.
Le ta përdorim patjetër broshurën Një libër për të gjithë njerëzit në shërbimin tonë. Ky botim daltë i vlefshëm, për t’i bindur njerëzit e arsyeshëm se duhet ta shqyrtojnë vetë Biblën!