Mjekët, gjykatësit dhe Dëshmitarët e Jehovait
NË MARS të vitit 1995, Dëshmitarët e Jehovait mbështetën financiarisht dy seminare në Brazil. Qëllimi? Të kërkonin bashkëpunimin e personelit mjekësor dhe ligjor, kur një pacient spitali është Dëshmitar i Jehovait dhe nuk mund të pranojë transfuzion gjaku.—Veprat 15:29.
Mjerisht, në disa raste mjekët i kanë shpërfillur dëshirat e pacientëve Dëshmitarë dhe kanë kërkuar të marrin urdhra gjyqësore, për të detyruar bërjen e transfuzionit të gjakut. Në situata të tilla, Dëshmitarët kanë përdorur çdo lloj mjeti ligjor që ishte në dispozicion, për t’u mbrojtur. Megjithatë, ata preferojnë bashkëpunimin, në vend se ndeshjen. Prandaj, seminaret nxorën në pah se ekzistojnë shumë alternativa që zëvendësojnë terapinë e transfuzionit të gjakut homolog dhe se Dëshmitarët e Jehovait i pranojnë me kënaqësi ato.a
Një mbledhje e Këshillit Rajonal të Mjekësisë të São Paulos, ka përkrahur tashmë qëndrimin e Dëshmitarëve. Në janar të vitit 1995, ky këshill vendosi që nëse ka kundërshtime në lidhje me trajtimin e rekomanduar nga mjeku, pacienti ka të drejtën ta refuzojë dhe të zgjedhë një mjek tjetër.
Është e lavdërueshme që tani në komunitetin mjekësor të Brazilit ka me qindra mjekë, që janë të gatshëm të bëjnë trajtimin pa gjak të pacientëve të tyre, të cilët e kërkojnë një gjë të tillë. Që prej seminareve të vitit 1995, bashkëpunimi ndërmjet mjekëve, gjykatësve dhe Dëshmitarëve të Jehovait në Brazil, është përmirësuar dukshëm. Në vitin 1997, gazeta mjekësore braziliane Âmbito Hospitalar botoi një artikull, që këmbëngulte në të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për të pasur qëndrimin e tyre në lidhje me respektimin e çështjes së gjakut. Tani pranohet gjerësisht se, siç u pohua nga Këshilli Rajonal i Mjekësisë për shtetet e Rio de Zhaneiros dhe të São Paulos, «detyra e mjekut për të mbrojtur jetën e pacientit të tij nuk duhet ta tejkalojë detyrën e tij për të mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së pacientit».
[Shënimi]
a Për më shumë informacion, shiko broshurën Si mund ta shpëtojë gjaku jetën tënde?, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.