«Është përkthimi më i mirë interlinear në dispozicion i Besëlidhjes së Re»
KËSHTU e përshkruan dr. Jason BeDuhn Përkthimi Interlinear Mbretëria i Shkrimeve Greke. Ai shpjegon:
«Sapo kam përfunduar së dhëni mësim në një kurs për Departamentin e Studimeve Fetare të Universitetit të Indianës, Blumington, [SHBA] . . . Ky është kryesisht një kurs mbi Ungjijtë. Ndihma juaj erdhi në formën e kopjeve të Përkthimi Interlinear Mbretëria i Shkrimeve Greke, të cilin studentët e mi e përdorën si një prej librave mësimorë për kursin. Këto vëllime të vogla ishin të paçmueshme për kursin dhe shumë të kërkuara nga studentët e mi.»
Pse dr. BeDuhn përdor përkthimin Interlinear Mbretëria në kurset e tij mësimore? Ai përgjigjet: «E thënë thjesht, ai është përkthimi interlinear më i mirë në dispozicion i Besëlidhjes së Re. Unë jam një studiues i stërvitur i Biblës, i familjarizuar me tekstet dhe mjetet që përdoren për studimet biblike moderne dhe, në kllapa, jo një anëtar i Dëshmitarëve të Jehovait. Por e njoh një botim me cilësi kur e shoh një të tillë dhe ‘Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re’ e ka bërë shkëlqyeshëm punën e vet. Përkthimi juaj interlinear në anglisht është i saktë dhe konsekuent deri në atë pikë, sa e detyron lexuesin t’i pranojë hendeqet linguistike, kulturore dhe konceptuale ndërmjet botës që flet greqisht dhe botës sonë. ‘Përkthimi Bota e Re’ është një përkthim fjalë për fjalë, i një cilësie të lartë, që në besueshmërinë e tij ndaj greqishtes shmang përkthimin e përciptë tradicional. Në shumë aspekte, ai qëndron më lart se shumica e përkthimeve të suksesshme që janë në përdorim sot.»
Përkthimi Interlinear Mbretëria i Shkrimeve Greke është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, për t’i ndihmuar ata që e duan Fjalën e Perëndisë, që të njihen me tekstin origjinal grek të Biblës. Ajo përmban Besëlidhjen e Re në greqishten origjinale në anën e majtë të çdo faqeje (përpiluar nga B. F. Westcott dhe F. J. A. Hort). Nën rreshtat e tekstit në greqisht, ndodhet një përkthim i saktë fjalë për fjalë në anglisht. Në kolonën e ngushtë në të djathtë ndodhet Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, i cili të lejon ta krahasosh përkthimin interlinear me një përkthim modern në anglisht të Biblës.