Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Në Malavi, qëndrueshmëria çon në bekime nga Perëndia
JOZEFI ishte një shërbëtor besimplotë i Jehovait. (Hebrenjve 11:22) Ai ishte, gjithashtu, një njeri me qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Edhe pse u tradhtua nga vëllezërit e tij, u shit dy herë në skllavëri dhe më vonë u hodh në burg nën akuza të rreme, Jozefi nuk e lëshoi veten. Përkundrazi, ai përballoi me durim vite mundimi, duke pritur përulësisht bekimin e Jehovait.—Zanafilla 37:23-28, 36; 39:11-20.
Ngjashëm, sot Dëshmitarët e Jehovait në Malavi kanë pritur me durim bekimin e Jehovait. Për 26 vjet, këta Dëshmitarë të krishterë duruan ndalimet qeveritare, kundërshtimin e egër dhe shumë mizori. Por qëndrueshmëria e tyre u shpërblye!
Kur në Malavi shpërtheu persekutimi, nga fundi i 1967-s, kishte rreth 18.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Imagjino gëzimin e Dëshmitarëve kur morën vesh se viti i shërbimit 1997 filloi me një maksimum të ri prej 38.393 lajmëtarësh, më shumë se dyfishi i atyre në fillim të ndalimit! Për më tepër, pjesëmarrja në 13 kongreset krahinore «Lajmëtarë të paqes hyjnore», që u mbajtën në Malavi, i kapërceu 117.000 vetat. Vërtet që Jehovai e ka bekuar besimin dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Një shembull i këtij bekimi, është përvoja e një djaloshi 14-vjeçar të quajtur Maçaka. Kur Maçaka pranoi një ofertë që iu bë për të studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, prindërit e tij u mërzitën shumë. Ata thanë: «Nëse dëshiron të bëhesh Dëshmitar, duhet të ikësh nga shtëpia.» Megjithatë, ky kërcënim nuk e shkurajoi në vazhdimin e studimit. Si rezultat, prindërit ia morën Maçakas të gjitha rrobat. Vëllezërit Dëshmitarë u përgjigjën duke i blerë ca të tjera. Kur prindërit e Maçakës e morën vesh këtë, i thanë: «Nëse ty do të të mbajnë Dëshmitarët, duhet të ikësh e të jetosh me ta.» Pasi e shqyrtoi çështjen me kujdes, Maçaka iku nga shtëpia dhe një familje Dëshmitarësh e kongregacionit lokal e mori në shtëpinë e vet.
Prindërit e Maçakës ishin kaq të mërzitur, sa vendosën të largohen nga ajo zonë, që të shmangnin çdo kontakt me Dëshmitarët. Sigurisht që Maçaka ishte i brengosur nga kjo gjë, por gjeti shumë ngushëllim, kur vëllezërit trajtuan me të Psalmin 27:10, i cili thotë: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.»
Me kalimin e kohës, prindërit e Maçakës e zbutën qëndrimin e tyre dhe ai vendosi të kthehej në shtëpi. Me sa duket, vendosmëria e djalit të tyre për t’i shërbyer Jehovait u bëri shumë përshtypje, sepse edhe ata patën dëshirë për një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Edhe ata morën pjesë në të trija ditët e kongresit krahinor «Lajmëtarë të paqes hyjnore», pas të cilit u ndjenë të shtyrë të thoshin: «Vërtet, kjo është organizata e Perëndisë.»
Po, kundërshtimi mund të jetë sfidues, por lajmëtarët besnikë të Perëndisë nuk dorëzohen. Ata shkojnë përpara me kurajë, duke e ditur se «mundimi prodhon qëndrueshmëri; qëndrueshmëria, nga ana e saj, një gjendje të miratuar». (Romakëve 5:3, 4, BR) Dëshmitarët e Jehovait në Malavi mund të vërtetojnë me të drejtë se qëndrueshmëria çon në bekime nga Jehovai.