Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
Të rinjtë lavdërojnë Perëndinë në Republikën Demokratike të Kongos
SHEKUJ më parë, psalmisti i ftoi ngrohtësisht të rinjtë të bashkoheshin në lavdërimin e Mbretit të përjetësisë: «Ju të rinj dhe, gjithashtu, ju virgjëresha, ju pleq bashkë me djem . . . , lavdëroni emrin e Jehovait, sepse vetëm emri i tij është paarritshmërisht i lartë.» (Psalmi 148:12, 13, BR) Përvojat vijuese nga Republika Demokratike e Kongos, theksojnë këtë privilegj të pashoq.
• Pronarit të shtëpisë së një pionieri special i kishte bërë përshtypje për mirë sjellja e Dëshmitarëve të Jehovait. Prandaj ai i lejoi Dëshmitarët të studionin Biblën me vajzën e tij pesëvjeçare, Fifi. Pasi vëzhgoi progresin e Fifit gjatë studimit të Libri im i tregimeve biblike,a babai e lejoi të frekuentonte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Atje, Fifi e vogël mësoi këngë të Mbretërisë nga libri i këngëve i Dëshmitarëve. Asaj i pëlqente veçanërisht kënga numër 4, në anglisht, e titulluar «Premtimi i Perëndisë për parajsën».
Një ditë, babai i Fifit vendosi ta merrte atë me vete në kishën e tij. Për çudinë e të gjithëve, Fifi nuk pranoi të këndonte këngët kishtare. Pse? Sepse mendonte se këngët e kënduara në kishën e babait të saj, nuk ishin në harmoni me atë që kishte mësuar nga studimi i Biblës. Në vend të kësaj, me kurajë ajo këndoi këngën e saj të preferuar.
Pas disa orvatjesh të pasuksesshme për t’ia ndryshuar mendjen, krerët e kishës vendosën ta shkishëronin Fifin pesëvjeçare! Megjithëkëtë trajtim të keq, babai i saj qëndroi i qetë. Ai ishte krenar që Fifi kishte marrë një qëndrim të vendosur për atë që besonte. Si babai, ashtu dhe mamaja e Fifit, dëshirojnë që ajo të vazhdojë të shoqërohet me Dëshmitarët e Jehovait.
• Kur një djalosh adoleshent i quajtur Lukodi vendosi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, babai i tij ishte shumë kundër. Një herë, kur Lukodi po bëhej gati për të shkuar në mbledhje në Sallën e Mbretërisë, babai e kërcënoi me hanxhar. Një herë tjetër, babai i Lukodit e goditi me shkop, duke i hapur një plagë të thellë në shpinë. Megjithë kundërshtimin intensiv, Lukodi qëndroi i palëkundur në vendosmërinë e tij për t’u bërë Dëshmitar i Jehovait. Ai vazhdoi të përparonte dhe u pagëzua. Tani ai shërben si pionier i rregullt.
Sonës, motrës më të vogël të Lukodit, i bëri kaq përshtypje qëndrimi i vëllait të vet, saqë edhe ajo filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, për ta penguar studimin e saj, babai e dërgoi Sonën në një shkollë të një fshati tjetër, ku nuk kishte Dëshmitarë. Gjithsesi, Sona e bëri zakon t’u fliste të tjerëve për gjërat që kishte mësuar. Si rezultat, edhe kushërira e saj filloi të kishte interes.
Kur Dëshmitarët nga një fshat fqinj dëgjuan për aktivitetin e predikimit të Sonës, i bënë një vizitë dhe morën masat që ajo të kishte një studim të rregullt biblik në shtëpi. Ajo vazhdoi të përparonte dhe shpejt u bashkua me vëllain e saj si një Dëshmitare e Jehovait e dedikuar dhe e pagëzuar. Veç kësaj, kushërira e saj tani është një lajmëtare e papagëzuar dhe në këtë fshat po mbahet një studim libri.
Sa e mrekullueshme dhe freskuese është kur të rinjtë bashkohen në lavdërimin e emrit të Jehovait!
[Shënimi]
a Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.