Tek premtimet e kujt mund të mbështetesh?
NË 1893-shin, një grup prej 74 autoritetesh në fushën sociale, u takuan në Panairin Botëror të Çikagos, për të diskutuar mbi të ardhmen. (Vendndodhja e tij është treguar lart.) Duke parë në periudhën pas 100 vjetësh, në 1993-shin, mes të tjerash ata dhanë edhe këto parashikime: «Pritet që njerëzit të jetojnë deri 150 vjet.» «Numri i burgjeve do të bjerë dhe divorci do të konsiderohet i panevojshëm.» «Forma e qeverisjes do të jetë thjeshtuar më shumë, sepse madhështia e vërtetë priret gjithmonë për nga thjeshtësia.»
Në ngjashmëri me këtë, në 1967-n, një libër i titulluar Viti 2000, parashikoi: «Në vitin 2000, ka të ngjarë që kompjuterat të barazojnë, imitojnë apo kalojnë disa prej aftësive intelektuale më ‘njerëzore’ të njeriut, duke përfshirë ndoshta disa prej aftësive të tij estetike dhe krijuese.» «Ideja e robotëve me çmime të arsyeshme, që bëjnë pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë . . . duket më e logjikshme në vitin 2000.»
Paaftësia e njerëzimit për të parashikuar me saktësi ngjarjet e së ardhmes, bie dukshëm në kontrast me aftësinë e Perëndisë. Për shembull, krahaso parashikimet e mësipërme me atë që paratha Bibla pothuajse 20 shekuj më parë në lidhje me ditët tona: «Njerëzit do të jenë dashurues të vetvetes, dashurues të parasë, mburravecë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, të mbyllur për çdo marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për të mirën, tradhtarë, kokëfortë, të fryrë me krenari, dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë, që kanë një formë të devotshmërisë së shenjtë, por që dalin të rremë ndaj fuqisë së saj.»—2. Timoteut 3:1-5, BR.
Kjo profeci biblike në lidhje me «ditët e fundit», është vetëm një prej shumë profecive që janë përmbushur në ditët tona. Fjala e Perëndisë paratha se «shenja» e pranisë së Jezuit do të përfshinte luftë botërore, mungesa ushqimi, murtaja, tërmete dhe predikimin mbarëbotëror të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 24:3-14; Luka 21:11.
Saktësia e pagabueshme e premtimeve të Perëndisë, e nxiti një shkrimtar të Biblës që shekuj më parë të deklaronte: «Nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra për tokë.»—Josiu 23:14.
Po, mund të jemi të sigurt se të gjitha premtimet e Perëndisë do të ndodhin së shpejti. Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund sëmundjes, krimit, dhënies pas drogës, urisë dhe luftës, krejt toka do të jetë një parajsë. (Psalmi 37:10, 11, 29; Zbulesa 21:3, 4) Ti mund të mbështetesh në përmbushjen e kësaj profecie! Ajo vjen prej Krijuesit tonë, «që nuk gënjen».—Titit 1:2; krahaso Hebrenjve 6:13-19.
[Burimi i figurës në faqen 32]
Arkivi i Universitetit të shtetit Klevëlend