Gjykata e Lartë e Konektikatit mbron të drejtat e pacientit
Më 16 prill 1996, Gjykata e Lartë e Konektikatit, SHBA, mbrojti të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për të mos pranuar transfuzione gjaku. Ky vendim anuloi një proces të mëparshëm gjyqësor që ishte në fuqi.
Në gusht të 1994-s, Neli Vega, një Dëshmitare e Jehovait, nisi të kishte hemorragji të rëndë pas lindjes së fëmijës së saj të parë. Përpjekjet për t’ia ndaluar hemorragjinë dolën të paefektshme. Ndërsa gjendja e znj. Vega keqësohej, spitali kërkoi të merrte një urdhër gjyqësor, i cili autorizonte bërjen e një transfuzioni gjaku. Znj. Vega kishte nënshkruar tashmë një shfajësim mjekësor, duke vënë në dijeni që të mos i jepej as gjak e as nënprodukte gjaku gjatë qëndrimit të saj në spital, duke e shkarkuar me anën e tij spitalin nga çdo përgjegjësi për pasojat e vendimit të saj. Por, spitali argumentoi se transfuzioni i gjakut me forcë do të ishte në të mirë të të sapolindurit, i cili, siç ngulte këmbë spitali, kishte nevojë për nënën e tij. Veç kësaj, gjyqi ishte i shqetësuar për faktin se veç humbjes së gjakut, znj. Vega ishte një grua e re dhe e shëndetshme. Kështu, pavarësisht nga protestat e burrit të znj. Vega dhe të avokatit të saj, gjyqi dha urdhër dhe transfuzionet u kryen!
Me kalimin e kohës, çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë të Konektikatit. Atje, u vendos unanimisht se veprimi i spitalit kishte dhunuar të drejtat e znj. Vega. Vendimi gjyqësor thoshte: «Hetimi përpara trupit gjykues u bë në mes të natës, nën kushte jashtëzakonisht urgjente që nuk e bënin të mundur aftësinë e secilës palë për të zhvilluar plotësisht argumentet e saj.»
Ky vendim i Gjykatës së Lartë të Konektikatit është domethënës edhe për ata njerëz që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait. «Është e rëndësishme për të gjithë pacientët që mund të mos pajtohen me vendimin e mjekëve të tyre,—thotë Donald T. Ridlei, avokati i znj. Vega.—Vendimi do t’i ndalojë spitalet që të ushtrojnë presion mbi vlerat e pacientit, qofshin ato fetare apo botërore.»