Si e konsideroni mëkatin?
«S’GJENDET mëkat në ty, s’gjendet skamje në ty; ti je depoja e fuqisë së gjithpushtetshme.» Filozofi i shquar hindus Viv ekananda, e bëri këtë pohim gjatë shpjegimit të një fragmenti nga libri i shenjtë hindus Bhagavad Gita. Duke cituar Vedantën, ai thotë: «Është gabimi më i madh të thuash se ti je i mangët, se ti je mëkatar.»a
Por, a është e vërtetë se s’gjendet mëkat në njeriun? Çfarë trashëgon një person në lindje, nëse trashëgon diçka? Vetëm «tiparet fizike përcaktohen nga trashëgimia»,—thotë Nikilananda, një mendimtar hindus. Karakteristikat e tjera përcaktohen nga «veprimet [e personit] në jetët e mëparshme». Sipas Vivekanandës, «ti je krijuesi i fatit tënd». Hinduizmi nuk mëson asgjë lidhur me mëkatin e trashëguar.
Koncepti i mëkatit të trashëguar nuk gjendet edhe mes zoroastrianëve, shintoistëve, konfucistëve dhe budistëve. Edhe në fetë judeo-të krishtere, të cilat tradicionalisht e kanë mësuar doktrinën e mëkatit të trashëguar, qëndrimi drejt mëkatit po pëson ndryshime. Gjithnjë e më shumë njerëz sot nuk e konsiderojnë veten si mëkatarë.
«Ndërgjegjja moderne nuk e inkurajon qortimin moral e sidomos nuk inkurajon vetëqortimin»,—thotë teologu Kornel Plantinga i Riu. Kishat e të ashtuquajturit krishterim janë pjesërisht fajtore për minimizimin e seriozitetit të mëkatit. «Po deshe të dëgjosh për mëkatin, mos shko në kishë»,—thotë një kapelan i Universitetit Duk. Dhe sipas Plantingës, disa kisha flasin përgjithësisht për mëkatin, vetëm kur ka të bëjë me çështjet sociale.
S’ka diskutim që brengat sociale të ditës janë shumë. Dhuna, krimi, luftërat, konfliktet etnike, abuzimi i drogës, pandershmëria, shtypja dhe dhuna kundër fëmijëve janë të pafrenueshme. Në fakt, shekulli i 20-të është quajtur një nga shekujt më të përgjakshëm që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Le t’i shtojmë këtij edhe dhembjen dhe vuajtjen që vjen nga sëmundjet, mplakja dhe vdekja. E kujt nuk i digjet zemra për çlirim nga problemet e panumërta që ekzistojnë në botën e sotme?
Cila është, atëherë, pikëpamja jote për mëkatin? A trashëgohet mëkati? A do të përjetojmë ndonjëherë lirinë nga dhimbja dhe vuajtja? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Filozofia e Vedantës bazohet në Upanishadin, i cili gjendet në fund të shkrimeve hinduse, në Vedas.