A ndodhin ende shërime të mrekullueshme?
«PRANO Jezuin dhe shërohu!» Slogane si ky e shtynë Aleksandrin, një anëtar të Kishës Evangjeliste, të besonte se marrja e mjekimit për sëmundjen e tij do të shfaqte një mungesë besimi. Ai u bind se vetëm besimi i tij do t’i sillte shërimin e mrekullueshëm, për të cilin kishte nevojë. Benedita, një katolike e flaktë, ishte prekur thellë, kur kishte dëgjuar për mrekullitë shëruese në shenjtëroren Aparesida do Norte, në shtetin São Paulo të Brazilit. Duke përdorur disa fjalë magjike që i kishte mësuar halla, Benedita iu lut Zonjës Sonë të Aparesidës, Shën Antonit dhe «shenjtorëve» të tjerë për fuqi që të shëronte të sëmurët.
Me sa duket edhe në vitet e fundit të shekullit të 20-të, shumë njerëz ende besojnë në shërimet e mrekullueshme. Por, përse kështu? Ndoshta disa zhgënjehen kur mjekët nuk janë në gjendje të bëjnë shumë, për të lehtësuar sëmundjen, dhimbjen dhe vuajtjen e personave të tyre të dashur, e sidomos të fëmijëve të tyre. Ata që janë të prekur nga sëmundje kronike mund të mendojnë se duke marrë parasysh shtrenjtësinë e mjekimit modern, nuk humbin asgjë, duke kërkuar shërimin me anë të besimit. Disa shohin në TV kisha dhe individë të ndryshëm që ofrojnë kura kundër SIDA-s, depresionit, kancerit, të metave mendore, tensionit të lartë të gjakut dhe shumë lëngatave të tjera. Kanë apo s’kanë besim në pohime të tilla, telespektatorët mund t’u drejtohen atyre si mjet i fundit. Të tjerë akoma që besojnë se sëmundja e tyre është shkaktuar nga frymërat e liga, mund të mendojnë se mjekimi tradicional nuk ka fuqi për t’i ndihmuar.
Nga ana tjetër, janë ata që kundërshtojnë fuqishëm e madje e dënojnë idenë e shërimit me mrekulli nga «shenjtorët» e vdekur apo shëruesit që janë gjallë. Sipas një gazete, imunoligjisti Drausio Varela mendon se besimi në shërimet me mrekulli «zhgënjen besimin e syleshit dhe të të pashpresit». Ai shton: «Duke shpresuar tek mrekullitë, shumë njerëz mund të heqin dorë nga kura të rëndësishme mjekësore, për shkak të këtyre mashtruesve.» (Jornal da Tarde) Ndërsa një enciklopedi britanike shpjegon: «Në të kaluarën shërimet jotradicionale janë shoqëruar me vende të shenjta e rite fetare dhe shkenca mjekësore është e prirë që t’ia atribuojë të gjitha këto shërime procesit normal të sugjestionimit, i cili në kushte të favorshme vepron.» (The New Encyclopædia Britannica) E prapëseprapë, ka shumë nga ata që besojnë se janë shëruar vërtet nga një mrekulli. Në rastin e tyre, shërimi ka bërë punë.
Ata që njihen me Biblën janë të vetëdijshëm se Jezu Krishti shëroi në shumë raste të sëmurë, duke e bërë këtë me anë të «fuqisë së Perëndisë». (Luka 9:42, 43, BR) Megjithatë, ata mund të pyesin veten: «A është duke vepruar dhe duke bërë shërime të mrekullueshme fuqia e Perëndisë ende sot?» Nëse po, përse përpjekjet për t’u shëruar dështojnë të sjellin rezultatet e premtuara? Mos vallë është për shkak se pacienti nuk ka mjaft besim apo për shkak se dhurata e tij nuk është mjaft e madhe? A është e përshtatshme që një i krishterë të kërkojë një shërim me mrekulli, kur është duke vuajtur nga një sëmundje e dhimbshme apo ndoshta e pashërueshme? A do të ndodhin sërish shërimet e padështueshme me mrekulli të atij lloji që kreu Jezui? Përgjigjet e këtyre pyetjeve jetësore mund t’i gjesh në artikullin vijues.