‘Kemi nevojë për njerëz të ndershëm’
NDERSHMËRIA është e rrallë në botën e sotme. E megjithatë, ajo është një kërkesë bazë për të krishterët. Pavli shkroi: «Duam të sillemi me ndershmëri në të gjitha gjërat.» (Hebrenjve 13:18, BR) Këtë donte të bënte edhe Vilma, një Dëshmitare e Jehovait në Faenca të Italisë.
Gazeta Il Resto del Carlino tregon se kur gjeti një portofol me një shumë të madhe parash, jashtë një supermarketi në qytetin e saj, ajo «pa ngurruar» ia dha portofolin një polici, me qëllim që të mund t’i kthehej të zotit.
Kur dëgjoi për këtë kryetari i bashkisë, i dërgoi menjëherë Vilmës një shënim të shkurtër falënderimi. «Në emër të qytetit,—shkroi ai,—të falënderoj përzemërsisht për gjestin tënd të shkëlqyer. Qyteti ynë me emër i Faencës ka nevojë për njerëz të mirë e të ndershëm.»
Bëhen apo jo të njohura veprimet tona të mira, ne gjithmonë duhet të përpiqemi që të jemi të ndershëm. Siç bëjnë thirrje Shkrimet e Shenjta, «ne përpiqemi të bëjmë të drejtën jo vetëm në sy të Perëndisë, por edhe në sy të njerëzve».—2. Korintasve 8:21, The Jerusalem Bible.