Një fitore tjetër për Dëshmitarët e Jehovait në Greqi
MË 6 tetor 1995, nga tre anëtarët magjistratë të gjykatës në Athinë, u dëgjua një çështje gjyqësore që përfshinte dy shërbëtorë në kohë të plotë të Dëshmitarëve të Jehovait. Akuza ishte për prozelitizëm dhe padia ishte ngritur nga një nëpunës i policisë, pasi Dëshmitarët i kishin bërë një vizitë në shtëpi.
Pyetjet e bëra nga gjykatësja drejtuese treguan se ajo ishte shumë e interesuar për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Për shembull, ajo pyeti: «Sa kohë keni që kryeni këtë vepër? Si ju kanë trajtuar njerëzit me kalimin e viteve? Ç’lloj përgjigjeje ka marrë vepra juaj? Çfarë u thoni njerëzve nëpër dyer?» Të gjithë të pranishmit në sallën e gjyqit dëgjuan me vëmendje dëshminë e shkëlqyer që u dha.
Për çudinë e madhe të Dëshmitarëve, madje edhe prokurori foli në favor të tyre. «Dëshmitarët e Jehovait kanë të drejtën kushtetuese jo vetëm që të besojnë e të adhurojnë Perëndinë e tyre,—vërejti ai në mbyllje të fjalës së tij,—por, gjithashtu, ta përhapin besimin e tyre nga dera në derë, në sheshet publike dhe në rrugë, madje edhe ta shpërndajnë literaturën e tyre falas, nëse dëshirojnë të bëjnë kështu.» Prokurori citoi vendime të ndryshme pafajësie të marra nga trupat gjykues dhe Këshilli i shtetit. Ai iu referua, gjithashtu, çështjes së Kokkinakis v. Greece, për të cilin ishte marrë një vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.a «Vëreni ju lutem,—paralajmëroi prokurori,—se Greqia pagoi edhe një gjobë për këtë çështje. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur duhen gjykuar çështje të tilla. Në fakt, kurrë nuk duhet që këto çështje t’i kalohen në fillim gjyqit.»
Pas fjalës së prokurorit, avokatit të Dëshmitarëve nuk i mbeti shumë për të thënë. Megjithatë, ai përfitoi nga rasti për të theksuar se ligji i prozelitizmit është jokushtetues dhe se e ka vënë Greqinë në vështirësi në shkallë ndërkombëtare.
Gjykatësja drejtuese u hodhi thjesht një shikim dy gjykatësve të tjerë dhe vëllai e motra u shpallën unanimisht të pafajshëm. Sprova, e cila zgjati një orë e dhjetë minuta, ishte një fitore si për emrin e Jehovait, ashtu edhe për popullin e tij.
Kjo është pafajësia e katërt që përfshin çështjet e prozelitizmit, pasi çështja e Kokkinakis u dëgjua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Dëshmitarët e Jehovait në Greqi gëzojnë që problemet në lidhje me predikimin e tyre, tani pothuajse nuk ekzistojnë dhe që është e mundur të vazhdojnë veprën pa pengesa.
[Shënimi]
a Shiko Kullën e Rojës, 1 shtator 1993, faqe 27-31, anglisht.