Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
Të arrijmë njerëzit e të gjitha llojeve me të vërtetën
APOSTULLI Pavël ishte një lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë së Perëndisë. Ai nuk lejoi që kundërshtimi të përzihej me detyrën e tij për të predikuar «lajmin e mirë». (1. Korintasve 9:16, BR; Veprat 13:50-52) Pavli i nxiti të tjerët që të ndiqnin shembullin e tij.—1. Korintasve 11:1.
Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në mbarë botën për përpjekjet e tyre të vendosura për të predikuar. Në të vërtetë, ata u flasin të tjerëve si në «kohë të favorshme», ashtu edhe në «kohë të turbullta», për të përmbushur veprën e tyre të caktuar zyrtarisht nga Perëndia të ‘bërjes së dishepujve’. (2. Timoteut 4:2, BR; Mateu 28:19, 20) Madje edhe në vendet ku ata përjetojnë kundërshtim, njerëzit me zemër të ndershme po arrihen me mesazhin shumë të rëndësishëm të Mbretërisë së Perëndisë, siç e ilustrojnë edhe përvojat vijuese.
◻ Në një ishull të Paqësorit perëndimor, ku vepra e Dëshmitarëve të Jehovait është e ndaluar, një djalë 12 vjeçar e gjeti veten të rrethuar nga shoqëritë e këqija në shkollë. Shumë prej shokëve të tij të klasës në mënyrë rutinë pinin cigare, lexonin literaturë pornografike, ngacmonin mësuesit dhe ziheshin. Situata u bë kaq e keqe, sa djali i kërkoi të atit nëse mund ta transferonte në një shkollë tjetër. I ati, gjithsesi, arsyetoi me të birin në kundërshtim të një ideje të tillë, pasi mendoi se sjellja e nxënësve edhe në shkollat e tjera rreth e rrotull nuk do të ishte e ndryshme. Por, si mund ta ndihmonte ai të birin?
Babai u kujtua se në shtëpi kishte një libër për të rinjtë. Ishte një dhuratë nga një i afërm, i cili ishte një prej Dëshmitarëve të Jehovait. Kështu, ai kërkoi librin dhe pasi e gjeti ia dha të birit. Ai titullohej: Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike.a Djalit iu duk veçanërisht i dobishëm kapitulli «Si mund t’u rezistoj presioneve të bashkëmoshatarëve?». Ai kapitull jo vetëm që i mësoi rëndësinë e respektit për veten, por i mësoi, gjithashtu, se si të thoshte me takt jo, kur të tjerët përpiqeshin të ushtronin presion mbi të që të ndiqte një rrugë jo të mençur. Duke zbatuar parimet biblike që gjendeshin në libër, i riu mësoi se si t’u rezistonte me sukses presioneve të bashkëmoshatarëve.
Duke vënë re këto dhe ndryshime të tjera pozitive tek i biri, babai vendosi ta lexonte librin. Duke qenë se këshillat praktike që gjendeshin në libër i bënë përshtypje, babai u kërkoi Dëshmitarëve të Jehovait një studim biblik në shtëpi. Më pas, anëtarë të tjerë të familjes së tij u bashkuan me të në studim. Rezultati? Ky djalë, vëllai më i vogël, babai dhe dy prej gjyshërve të tij, tani janë Dëshmitarë të Jehovait.
◻ Në të njëjtin vend, dy prej Dëshmitarëve të Jehovait ishin të burgosur për shkak të bindjes së tyre strikte ndaj parimeve biblike. Megjithatë, ata nuk lejuan që situata e tyre t’i sprapste për të folur me guxim mbi Mbretërinë e Perëndisë. Ata iu afruan një oficeri të burgut dhe morën lejen për ta përkujtuar atje Darkën e Zotërisë. Sa të lumtur ishin ata kur 14 të burgosur shprehën interes për Biblën dhe u bashkuan me Dëshmitarët në këtë ngjarje të rëndësishme! Pas lirimit, disa prej tyre vazhduan ta studionin Biblën dhe të shoqëroheshin me Dëshmitarët e Jehovait.
Në më shumë se 25 shtete, Dëshmitarët e Jehovait vuajnë si pasojë e ndalimeve apo e formave të ndryshme të kundërshtimit dhe persekutimit. Megjithatë, ashtu si apostujt, ata vazhdojnë «pa pushim duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë se Jezui është Krishti».—Veprat 5:42.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.