«Po ku ndodhet kisha juaj?»
DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT në Mozambik u është drejtuar shpesh kjo pyetje. Sinqerisht, deri kohët e fundit ajo ka qenë një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Është kështu sepse Dëshmitarët e Jehovait, deri në vitin 1991 nuk gëzonin njohjen zyrtare në këtë shtet. Prandaj, nuk ishte e mundur që të kishin vende adhurimi qartësisht të identifikueshme dhe të vendosura.
Megjithatë, kjo situatë ndryshoi më 19 shkurt 1994. Atë ditë të nxehtë me diell, dy Sallat e para të Mbretërisë të ndërtuara ndonjëherë në Mozambik, u dedikuan. Një numër prej 602 personash erdhën në dedikimin e këtyre vendeve të bukura të mbledhjeve në qytetin e Beirës, ku ndodhet edhe një port, afërsisht në mes të rrugës përgjatë bregdetit të Mozambikut. Ato do të shërbejnë për nevojat e tri kongregacioneve në atë qytet.
Për të gjithë projektin, nga hedhja e themeleve e deri në përfundimin e ndërtesave, u deshën një vit e dy muaj pune të rëndë. Shpesh, 30 apo më shumë vullnetarë erdhën nga vendi fqinj Zimbabve dhe punuan krah për krah me Dëshmitarët e vendit. Meqenëse jo të gjithë ata mund të strehoheshin në shtëpinë misionare në Beira, e cila shërbeu si baza e veprimtarive, disa fushuan rreth shtëpisë gjatë fundjavëve dhe në disa raste për disa javë njëherësh.
Vendndodhja e Sallës së Mbretërisë për kongregacionet e Masambës dhe Munhavës, gjendet në rrugën kryesore të Beiras. «Në një ditë të ngarkuar, kur puna eci shpejt dhe përparimi ishte shumë i dukshëm,—vërejti një misionar,—gati sa s’pamë aksidente, ndërkohë që shoferët kalonin andej dhe ia ngulnin sytë Sallës së Mbretërisë, duke harruar kështu timonët e tyre.» Shumë ndaluan për të parë punën dhe u bëri veçanërisht përshtypje prania e racave të ndryshme që punonin së bashku si të ishin një.
Në punë ishte përfshirë një planifikim dhe organizim i madh. Ndryshe nga shumë projekte të tjera në këtë pjesë të botës, ku materialet dhe pasuritë janë të rralla, puna për Sallat e Mbretërisë asnjëherë nuk mbeti pezull për mungesë furnizimi. Në një rast, nevojiteshin 800 thasë çimentoje dhe i vetmi vend që mund t’i ofronte nuk kishte thasët e nevojshëm për mbajtjen e çimentos. Vëllezërit kontaktuan me zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower në kryeqytetin Maputo; thasët u dërguan me aeroplan, u çuan në fabrikën e çimentos dhe u mbushën. Puna vazhdoi e pandërprerë.
Në një rast tjetër, kur skeletet e çative po instaloheshin, brigadës së punimeve iu mbaruan traversat prej çeliku. Për shkak të mungesës së jashtëzakonshme, çeliku për projektin ishte importuar nga 600 kilometra largësi! Njëri nga ata të brigadës, iu afrua një burri që kishte qenë duke vështruar dhe e pyeti nëse dinte se ku mund ta gjenin çelikun për të përfunduar punën. Burri iu përgjigj: «Kam qëndruar këtu për më shumë se një orë dhe nuk duhet të ketë qenë rastësi. Nuk mund të mos admiroj punën që po bëni dhe frymën e këtij projekti. Unë kam tamam llojin e çelikut që ju nevojitet dhe do të ishte kënaqësia ime t’jua ofroja si një dhuratë.» Ai u kthye në një sigurim mëse në kohën e duhur.
Shumë vëzhgues donin të dinin se ç’firmë e madhe ndërtimi fshihej pas projektit. Brigada e punës, sigurisht, kënaqej shumë kur u tregonte se këta ishin Dëshmitarët e Jehovait që kryenin vullnetarisht shërbimet e tyre. Çfarë u bëri përshtypje në mënyrë të veçantë vëzhguesve? «Ju jeni një popull i bashkuar,—tha njëri.—Edhe pse të racave të ndryshme, ju punoni së bashku si vëllezër.» Rezultati ishte që shumë erdhën të kërkonin studime biblike. Kjo pati, gjithashtu, ndikim në mbledhjet. Pjesëmarrja mesatare në mbledhje në kongregacionin e Mangës, për shembull, është më shumë se dyfishi i numrit të Dëshmitarëve.
Sallat e reja të Mbretërisë provuan me të vërtetë se ishin një bekim i madh për Dëshmitarët e vendit. Më parë, pjesa më e madhe takoheshin në vende primitive, me një çati prej bari ose disa teneqe mbi kokë, në një oborr të pasëm apo në një dhomë të vogël të një shtëpie private. Shpesh ata janë lagur kur binte shi, por megjithatë kanë marrë pjesë në mbledhje me besim të plotë. Për dekada, këto ishin të vetmet «Salla Mbretërie» që njihnin Dëshmitarët e Jehovait në Mozambik. Vëllai Kitanë Gabriel, një plak në kongregacionin e Masambës, deklaroi: «U jemi mirënjohës vëllezërve tanë rreth e qark botës, që kontribuan në realizimin e këtij projekti.» Një Dëshmitar i ri kujtoi: «Kur ishim në Kariko («kampet e riedukimit» ku ishin internuar Dëshmitarët e Jehovait për afërsisht 12 vjet), thoshim vazhdimisht: ‘Do të qëndrojmë besimplotë dhe Jehovai do të na shpërblejë.’ Salla e re e Mbretërisë është një shpërblim nga Jehovai.» Fjalët e tyre shprehin mirënjohjen e thellë dhe vendosmërinë e tyre për të lavdëruar Jehovain.
Shumë të rinjve që morën pjesë në veprën e ndërtimit, iu fut fryma e pionierit dhe më pas ndërmorën shërbimin si pionierë të rregullt. E reja Izabel, pioniere e rregullt në kongregacionin e Mangës, ndërsa shikonte Sallën e Mbretërisë pa asnjë të metë e të pastruar një ditë përpara dedikimit, tha: «Për mua, ky është vendi më i bukur në qytetin e Beirës. Të ndodhem këtu, është për mua kënaqësia më e madhe.» Adaun Kosta, një misionar, shpjegoi se autoritetet e vendit kishin qenë shumë bashkëpunues në lejimin e procedurave speciale të importimit, sepse ishin të vetëdijshëm për ndershmërinë e Dëshmitarëve. Më pas, ai shtoi: «Megjithëse u lodhëm shumë, ishte një gëzim të shihnim frytet e gjithë kësaj pune për nderin dhe lavdinë e Jehovait.»
Tani, kurdo që një banor miqësor i qytetit të Beirës pyet: «Po ku ndodhet kisha juaj?», Dëshmitarët e drejtojnë tek njëra prej dy Sallave të Mbretërisë dhe përgjigjen me fjalë të tilla, si: «Ndodhet në Rrugën Internacionale, Avenida Akordo de Lusaka, pikërisht përballë Qendrës së Skuadriljes së katërt të Policisë.» Më pas, shtojnë një korrigjim: «Vetëm se nuk është një kishë. Është një Sallë Mbretërie!»
[Harta dhe figurat në faqen 20]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
AFRIKA
Mozambiku
Beira
Maputo
[Burimi]
Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1995 Digital Wisdom, Inc.