‘Ata janë të interesuar për të ndihmuar të tjerët’
KËSHTU u shpreh një polic nga qyteti i Nju Jorkut për Dëshmitarët e Jehovait. Ai po bisedonte me Kathlin, një vullnetare që shërben në kohë të plotë, në qendrën botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork.
Në një ditë vjeshte të ngrohtë e me diell, gjatë kohës së drekës, Kathlin u ul në një stol pranë shëtitores Promenade që gjendet aty afër. Ajo kishte vënë kufjet dhe po dëgjonte një kasetë. Në një aeroport helikopterësh matanë Lumit Est, po bëheshin përgatitjet për nisjen e papës, i cili kishte bërë një vizitë në qytet. Kudo ishte gjendje e sigurisë së lartë dhe disa policë patrullonin shëtitoren. Njëri prej tyre iu afrua Kathlinës dhe e pyeti se çfarë po bënte. Kathlin iu përgjigj: «Po dëgjoj një kasetë me mësime në rusisht. E sheh, unë jam Dëshmitare e Jehovait dhe dëshiroj të mësoj rusishten për t’u shpërndarë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë njerëzve që flasin rusisht, të cilët kanë ardhur për të jetuar në qytet.»
Polici i tha se pak nga pak kishte arritur t’i admironte Dëshmitarët e Jehovait, gjatë 15 viteve të tij të fundit si oficer patrulle në qytetin e Nju Jorkut. Ai tha: «Dëshmitarët e Jehovait i konsideroj si një fe e organizuar, anëtarët e së cilës janë sinqerisht të interesuar për të ndihmuar personat e tjerë të shoqërisë.»
Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në mbarë botën për veprën e predikimit që bëjnë derë më derë. (Veprat 20:20) Ndërsa vënë në dukje Mbretërinë e Perëndisë si e vetmja zgjidhje për problemet që shqetësojnë njerëzimin, ata, gjithashtu, ndihmojnë njerëzit që të përmirësojnë cilësinë e tyre të jetesës, duke i inkurajuar ata që të zbatojnë parimet biblike në jetën e tyre të përditshme. Për shembull, Dëshmitarët i nxisin prindërit që të krijojnë në shtëpi një ambient që bën të mundur të mësuarit. Ata i nxisin individët që të jenë të ndershëm dhe të respektojnë ligjin, duke i inkurajuar të përvetësojnë aftësi dhe cilësi, të cilat do të ishin të vlefshme për një punëdhënës.
Po, Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të interesuar që të ndihmojnë njerëzit në shoqëri për të përmirësuar jetën e tyre. Edhe ti je i ftuar ngrohtësisht që t’i përgjigjesh ofertës së mëposhtme.