Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
«Ndriçoni si pishtarë në botë»
DËSHMITARËT E JEHOVAIT shquhen si të veçantë dhe shpesh u bëhet një reklamë e keqe, për shkak të mospranimit të transfuzioneve të gjakut. Megjithatë, ky qëndrim bazohet fortësisht në Bibël, e cila tregon se Perëndia e dënon keqpërdorimin e gjakut, pasi gjaku është i çmuar në sytë e tij. (Zanafilla 9:3, 4; Levitiku 17:14) Si rezultat i shqyrtimit të Shkrimeve për këtë çështje, Dëshmitarët e Jehovait dalin në përfundimin se udhëzimi i Biblës ‘për të hequr dorë nga gjaku’, përfshin në mënyrë të qartë praktikën moderne të transfuzionit të gjakut.—Veprat 15:19, 20, 28, 29.
Vitet e fundit, shumë mjekë, si edhe gjykata në disa vende, kanë filluar t’i mbështesin Dëshmitarët e Jehovait në këtë çështje. Për shembull, në Danimarkë, një nënë e re, e cila njohu pikëpamjen e Biblës për gjakun, vdiq nga një aksident automobilistik. Për shkak se nuk pranoi të bënte transfuzion gjaku, mjekët e saj nxitën kundër Dëshmitarëve të Jehovait një fushatë armiqësore njëmujore përmes shtypit.
Prindërit e gruas së re kërkuan një hetim dhe në prill të 1994-ës, u lajmërua një vendim nga Komisioni i Ankesave të Pacientëve në Danimarkë. Ai deklaronte se pacientja nuk vdiq për shkak të mospranimit të gjakut, por për shkak të paaftësisë së mjekëve. Vendimi u bazua në hetimet e kryera nga Këshilli Drejtues i bërjes së autopsive dhe autoritetet mjekësore. Në një trakt drejtuar të gjitha institucioneve të kujdesit shëndetësor në Danimarkë, Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë deklaronte se mjekët janë të detyruar t’u vënë në dispozicion Dëshmitarëve të Jehovait trajtimin më të mirë, duke marrë parasysh mospranimin e gjakut nga ana e tyre.
Një rast tjetër ndodhi me Danin, një Dëshmitar 15-vjeçar, i cili vdiq nga leucemia. Në këtë rast, mjekët e respektuan vendimin e guximshëm të Danit për të mos bërë transfuzion gjaku. Kjo çoi në një fushatë të gjerë shtypi, në të cilën fajësoheshin mjekët për vdekjen e Danit. Megjithatë, ishin të shumtë ata që nuk u pajtuan me këtë propagandë negative.
Për shembull, drejtori i shkollës në të cilën shkonte Dani, ishte i pranishëm në Sallën e Mbretërisë për funeralin. Ai shprehu tronditjen e tij mbi lajmet e padrejta që mbulonin vdekjen e Danit. Pasi iu afrua një kolegu Dëshmitar me një varg pyetjesh mbi Dëshmitarët e Jehovait, ai pranoi një kopje të videos Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit. Videoja i la kaq shumë përshtypje, sa mori masa që të gjithë mësuesit në shkollë ta shihnin. Më vonë, videoja iu shfaq edhe nxënësve të çdo klase.
Edhe ministri i shëndetësisë në Danimarkë, nuk u pajtua me reklamën e keqe që iu bë mjekëve të Danit. Ai deklaroi se mjekët vepruan drejt, duke respektuar vendimin e pjekur dhe të bazuar mirë në besim të Danit.
Ka me miliona lajmëtarë të Mbretërisë që u binden ligjeve të Perëndisë. Për shkak të bindjes së tyre, ata shquhen ‘duke ndriçuar si pishtarë në botë’.—Filipianëve 2:12, 15.