A ke shpëtuar?
XHONI ishte dhjetë vjeç, kur një burrë e ndaloi në panair dhe e pyeti: «Djalosh, a e pranon Jezu Krishtin si Zotërinë dhe Shpëtimtarin tënd?» Xhonit i tingëlloi si një pyetje e çuditshme, pasi gjithmonë kishte besuar në Jezuin. Prandaj, iu përgjigj: «Sigurisht që po.» «Lavdëroni Zotërinë,—bërtiti burri që ta dëgjonin të gjithë.—Një shpirt tjetër u shpëtua për Krishtin!»
A është vërtet kaq e thjeshtë të shpëtosh? A kishte «shpëtuar» Xhoni, që nga momenti kur tha ato fjalë, pavarësisht se çfarë do të bënte në pjesën tjetër të jetës? Shumë njerëz të sinqertë do të thoshin po. Disa fletushka fetare thonë të shkruash datën kur «ke shpëtuar» për ta mbajtur mend.
Një prift shkroi se «në momentin kur e pranon Krishtin sipërfaqësisht . . . vendoset njëherë e përgjithmonë fati». Ai pohoi se Bibla thotë se shpëtimi varet nga një «vepër besimi [e vetme, e bërë vetëm në një rast], jo në vazhdimësinë e besimit». Një shkrimtar tjetër fetar, shkroi: «Vepra e vetme e besimit është një punë e mbaruar. Shpëtimi tashmë është marrë . . . ‘Beteja [jote] ka përfunduar.’ ‘Mëkati [yt] është eliminuar.’» Por edhe njerëzit që janë fortësisht të bindur mund të shohin një problem këtu. Duket qartë se shumë njerëz, të cilëve u është thënë se janë «shpëtuar», nuk jetojnë sipas asaj që thotë Bibla. Një shpjegim i zakonshëm është se ndoshta nuk e kanë «pranuar» me të vërtetë Krishtin.
Çfarë do të thotë në të vërtetë, atëherë, «të pranosh» Jezuin? Është një vepër besimi e kryer në një rast, apo është një mënyrë e vazhdueshme jetese? A duhet të jetë besimi ynë aq i fortë, sa të na nxisë në veprim? A mund t’i pranojmë me të vërtetë dobitë e sakrificës së Jezuit, duke mënjanuar përgjegjësinë për ta ndjekur atë?
Shumë njerëz duan bekimet, por jo përgjegjësinë për të ndjekur dhe për t’iu bindur Jezuit. Në fakt, fjala «bind» shpesh i shqetëson. Megjithatë, Jezui tha: «Eja e më ndiq.» (Luka 18:18-23) Gjithashtu, Bibla thotë se ata ‘që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht . . . do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm’.—2. Selanikasve 1:8, 9; Mateu 10:38; 16:24.
Bibla thotë shumë gjëra që ngjallin pyetje serioze mbi atë që mësohet për shpëtimin. Nëse do të të pëlqente të vërtetoje atë që Bibla thotë në të vërtetë mbi këtë gjë, faqet vijuese do të jenë veçanërisht interesante për ty. Hap Biblën dhe lexo vargjet e cituara për të parë se çfarë mësoi Jezui dhe dishepujt e tij mbi këtë çështje jetësore!