Zgjidhet çështja gjyqësore ndaj Dëshmitarëve të Jehovait
PAS disa shtyrjesh të përsëritura, Gjykata e Apelit në Selanik, Greqi, u mblodh më në fund më 8 gusht 1995, për të shqyrtuar çështjen kundër katër grave Dëshmitare të Jehovait. Akuza ndaj tyre? Prozelitizëm, të cilin ligji grek e ndalon që prej mëse pesë dekadash.
Sidoqoftë, në kohën kur trupi gjykues u mblodh për të gjykuar çështjen—prifti, i cili nxiti çështjen kundër katër grave—nuk jetonte më. Një prift tjetër u përpoq që të dëshmonte në vend të tij, por trupi gjykues nuk e pranoi kërkesën e tij. Kështu, nuk është për t’u çuditur që seanca zgjati vetëm 15 minuta! Gjykatësi dëgjoi dëshmitarin tjetër nga pala paditëse dhe i cilësoi të pandehurit jo fajtorë për praktikim të prozelitizmit të paligjshëm. Ky vendim tregoi se gjykatat greke janë të gatshme për të respektuar dhe për t’iu bindur vendimit të marrë në vitin 1993 nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ishte veçanërisht e papritur të shihje tre gratë, të cilat dëshmuan në mbështetje të palës paditëse, t’u afroheshin të pandehurave Dëshmitare dhe t’i përgëzonin me gjithë zemër. «Ju kërkojmë të falur për të gjitha këto që ndodhën», tha njëra prej tyre. Ajo shtoi: «Nuk ishte faji ynë. Prifti na detyroi që t’ju padisnim. Tani që ai nuk jeton më, ne dëshirojmë që ju të vini në fshatin tonë dhe në shtëpitë tona.»
Në këtë mënyrë, Jehovai i dhuroi edhe një herë një fitore të mrekullueshme popullit të tij në Greqi. Ligjet mbi prozelitizmin u aprovuan në Greqi në vitin 1938 dhe 1939. Në 1993 Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi që përdorimi i këtij ligji për të përndjekur Dëshmitarët e Jehovait është i gabuar.—Shiko Kullën e Rojës, 1 shtator 1993, faqet 27-31 (angl.).