Kur e lexojnë dhe si përfitojnë
Herët në mëngjes:
Një çift i martuar, të cilët që të dy punojnë jashtë shtëpisë, kanë vendosur të çohen çdo mëngjes dhjetë minuta më herët dhe ta përdorin atë kohë për ta lexuar Biblën së bashku para se të dalin nga shtëpia. Ajo që lexojnë u siguron një bazë për biseda të shëndetshme pasi ikin nga shtëpia.
Një plak në Nigeri përdor programin e Shkollës së Shërbimit Teokratik si bazë për leximin familjar të Biblës në shtëpinë e tij. Ata lexojnë çdo ditë një pjesë të tij, pasi trajtojnë shkrimin e ditës, zakonisht në mëngjes. Fëmijët lexojnë me radhë disa pjesë të caktuara. Më pas, janë të ftuar të bëjnë pyetje mbi vargjet që janë lexuar.
Një grua shtëpiake në Japoni e ka lexuar të gjithë Biblën një herë në vit që nga 1985-a. Programi i saj është të lexojë për 20 deri 30 minuta, duke filluar çdo ditë nga ora 500 e mëngjesit. Lidhur me dobitë ajo thotë: «Besimi im është forcuar. Më ndihmon të harroj sëmundjen e të përqendrohem në shpresën e parajsës.»
Një motër që ka qenë pioniere për 30 vjet, por burri i së cilës nuk është Dëshmitar ngrihet çdo ditë në pesë të mëngjesit për të lexuar Biblën. Programi i saj kërkon të lexojë rreth katër faqe nga Shkrimet Hebreje, një kapitull nga Shkrimet e Krishtere Greke dhe një varg nga Proverbat. Ajo e ka lexuar gjithë Biblën çdo vit që nga 1959-a. Ajo thotë: «Si rezultat i leximit, ndiej se Jehovai më do . . . Marr inkurajim, ngushëllim dhe ndreqje.» Ajo shton: «Leximi i Biblës e bën Jehovain për mua si ai që kurdis zemrekun e jetës çdo ditë.»
Një motër që e ka mësuar të vërtetën në një vend ku aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait ishte ndaluar, ka edhe një burrë që i kundërshton bindjet e saj. Ajo është në gjendje ta lexojë Biblën nga e hëna deri të premten, nga ora 600 deri në orën 700 të mëngjesit. Kjo i ka dhënë asaj forcë të brendshme. Duke menduar se si ka ndikuar leximi mbi të, ajo thotë: «Mësojmë të duam Jehovain dhe Jezuin dhe të jetojmë të lumtur edhe me probleme e vështirësi, duke e ditur se premtimet e Jehovait nuk dështojnë.»
Një motër që ka marrë pjesë në Shkollën e Shërbimit si Pionier ishte e vendosur të ndiqte këshillën që i ishte dhënë atje për ta bërë leximin e Biblës një zakon të përditshëm. Në fillim, ajo ishte në gjendje ta bënte këtë nga ora 500 deri në orën 600 të mëngjesit. Kur nuk mund ta bënte më për arsye të punës, e ndryshonte nga ora 900 deri në orën 1000 të paradites. Ajo thotë se kur lindnin situata të tjera të vështira, «e ndryshonte programin sipas rrethanave».
Gjatë ditës:
Dy motra mishore që janë anëtare të familjes Bethel në Brazil e kanë zakon ta lexojnë Biblën së bashku për rreth 20 minuta çdo ditë pas drekës. E kanë lexuar të gjithë Biblën rreth 25 herë. Megjithatë shkruajnë: «Gjithmonë kuptojnë diçka të re, kështu që leximi i Biblës nuk bëhet kurrë monoton.»
Një motër beqare në Japoni kuptoi se megjithëse ishte rritur si Dëshmitare, nuk i kuptonte mirë Shkrimet. Kur u bë pioniere, vendosi ta lexonte Biblën rregullisht. Tani e bën leximin e Shkollës për Shërbimin Teokratik gjatë rrugës për në spital, kur kurohet një ditë në javë. Më vonë, në shtëpi ajo bën kërkime të mëtejshme. Nga fundi i javës, ajo lexon akoma Biblën, sipas radhës në të cilën janë shkruar.
Një djalë 13-vjeçar që tashmë e ka lexuar tri herë të gjithë Biblën, lexon një kapitull në ditë kur kthehet nga shkolla në shtëpi. Ai thotë se kjo e ka ndihmuar «të ndiejë më shumë se Jehovai e do».
Një Dëshmitar që ka një program shumë të ngjeshur pasi punon, është plak, burrë dhe baba, dëgjon kaseta biblike gjatë rrugës që bën me tren për në punë. Më pas, në shtëpi ai lexon personalisht të njëjtin material.
Përveç leximit personal, një pioniere në Francë dëgjon kaseta biblike kur përgatit për të ngrënë, kur i jep makinës, kur gjendet në kohë vështirësish ose thjesht për kënaqësi.
Një pionier 21-vjeçar në Japoni kujton se e ëma këmbëngulte që të merrte çdo ditë diçka frymore dhe ai e ka lexuar Biblën çdo ditë, edhe pse jo gjithnjë në të njëjtën kohë, që në moshën tre-vjeçare. Pasi lexon pjesën që ka zgjedhur për ditën, vë synim të lexojë vargjet kyç dhe më pas lë disa minuta për të rishikuar mendërisht atë që ka lexuar.
Një tjetër Dëshmitar, një pionier, në 12 vjetët e kaluar e ka lexuar gjithë Biblën rreth dhjetë herë. I shoqi është pabesimtar, kështu që ajo e programon leximin për pasdite.
Mbrëmjeve:
Një plak dhe pionier i rregullt në Japoni, që e lexon Biblën çdo natë para se të shkojë në shtrat e ka bërë këtë për tetë vjetët e kaluar. Ai thotë: «Më pëlqejnë në mënyrë të veçantë Shkrimet që tregojnë se çfarë mendon Jehovai, çfarë ndien dhe si vepron në disa rrethana. Duke medituar mbi këto Shkrime, jam ndihmuar ta bëj timin mendimin e Jehovait dhe të ndihmoj motrat dhe vëllezërit e mi të krishterë si dhe anëtarët e familjes sime.»
Një plak në Francë, e ka lexuar Biblën për një orë çdo mbrëmje që nga 1979-a. Shpesh ai ka pesë ose gjashtë përkthime përballë për të bërë krahasimet. Ai thotë se leximi i tij i kujdesshëm e ka ndihmuar të dallojë «si zbatohet njohuria biblike në situatat e përditshme». Kjo i ka dhënë, gjithashtu, mundësi të jetë më i efektshëm në dhënien e këshillave nga Shkrimet.
Për 28 vjetët e kaluar, një vëlla në Nigeri e ka bërë zakon të lexojë çdo mbrëmje shkrimin në broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë që trajtohet mëngjesin tjetër. Bashkë me të, ai lexon në Bibël gjithë kapitullin nga ku është marrë Shkrimi. Pas martesës, ai e vazhdoi këtë zakon, duke e lexuar dhe duke e trajtuar materialin me të shoqen.
Një adoleshente, prindërit e së cilës nuk janë Dëshmitarë, e ka bërë zakon të lexojë për pesë deri në dhjetë minuta çdo mbrëmje para se të shkojë për të fjetur. Ato minuta janë të çmuara për të dhe ajo lutet para dhe pas leximit. Synimi i saj është të njohë mesazhin që Jehovai u ka drejtuar secilit prej shkrimtarëve të Biblës për të shkruar.
Një vëlla i martuar që shërben në Bethel, thotë se e ka lexuar Biblën brenda një viti për tetë vjetët e kaluar. Ai lexon 20 deri në 30 minuta para se të shtrihet në shtrat. Edhe kur është shumë i lodhur, ai e kupton se nuk mund të flejë po të shkojë në shtrat pa lexuar. Duhet të çohet dhe të kujdeset për këtë nevojë frymore.