Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Të rinjtë shpallin lajmin e mirë në Afrikë
PAK pas ringjalljes së Jezuit, një burrë nga Afrika po vizitonte Jeruzalemin. Bibla nuk e jep emrin e tij. Ai është i njohur vetëm si «një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj». Përse përmendet ai në Bibël? Sepse një engjëll drejtoi ungjillëzuesin e krishterë, Filipin, për t’i shpallur «lajmin e mirë mbi Jezuin». Ky burrë etiopas ishte afrikani i parë i dokumentuar, që u bë anëtar i kongregacionit të krishterë.—Veprat 8:26-39.
Sot, ka qindra e mijëra Dëshmitarë të Jehovait në Afrikë. Ata shfrytëzojnë çdo mundësi për të ndarë me të tjerët lajmin e mirë mbi Jezuin. Përvojat vijuese tregojnë se edhe të rinjtë në Afrikë kanë për të luajtur rolin e tyre në këtë gjë.
◻ Sandi dhe Prija, dy vajza 11-vjeçare në Nairobi, Kenia, ishin komshije. Ato kënaqeshin duke luajtur së bashku e shkëmbenin me njëra-tjetrën librat me tregime. Prindërit e Prijas filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Tani, Prija kishte disa libra të rinj për të shtuar në koleksionin e saj, duke përfshirë edhe një që u bë në veçanti i preferuari i saj, Duke dëgjuar Mësuesin e madh, botuar në anglisht nga Shoqata Watchtower Bible and Tract. Ajo ia dha librin Mësuesi i madh edhe shoqes së saj, Sandit dhe të dyja vajzat filluan ta studionin rregullisht.
Por mamaja e Sandit, Juna, frekuentonte Kishën Anglikane dhe nuk donte që e bija të lexonte libra nga Dëshmitarët e Jehovait. Megjithë kundërshtimin e mamasë, studimi vazhdoi. Një ditë, Sandi iu lut së ëmës që të dëgjonte diskutimin e tyre vetëm për pak. Kapitulli që vajzat po lexonin atë ditë titullohej «Dy burra që festuan ditëlindjet». Juna e dëgjoi dhe i la shumë përshtypje. Ajo shkoi menjëherë tek e ëma e Prijas dhe i bëri shumë pyetje biblike.
Mamaja e Prijas e rregulloi që një Dëshmitare të studionte Biblën me Junën. Së shpejti, vetë Juna i ndau ato që kishte mësuar me shoqen e saj të punës, Dalin. Ndërkohë, Prija 11-vjeçare vazhdoi të përparonte dhe vendosi ta simbolizonte dedikimin e saj ndaj Perëndisë Jehova, me pagëzimin në ujë në një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. Në po atë kongres, për gëzimin e madh të Prijas, u pagëzuan, gjithashtu, edhe Juna e Dali!
◻ Ka disa vende afrikane, në të cilat vepra e Dëshmitarëve të Jehovait nuk është e njohur zyrtarisht. Në një nga këto vende, ekziston një klimë e përgjithshme tolerance kundrejt aktiviteteve dhe bindjeve fetare të Dëshmitarëve. Në një shkollë në atë vend, një djalë shtatë vjeçar dhe vëllai i tij gjashtë vjeçar, fëmijë Dëshmitarësh, u lejuan që të dilnin nga klasa gjatë kohës së lutjeve fetare.
Një ditë, një mësues i ri urdhëroi që djemtë të bashkoheshin në lutje me fëmijët e tjerë. Djali më i madh nuk pranoi dhe mësuesi e rrahu. Vëllai më i ri, Shadraku gjashtë vjeçar, këmbënguli të takonte drejtorin në zyrën e tij. Drejtori dhe mësuesi i ri e pyetën se përse nuk donte të bashkohej me të tjerët. E pyetën se mos kishte frikë që prindërit do ta rrihnin. Ai u përgjigj me një arabishte shumë të mirë: «Jo, Perëndia që unë adhuroj nuk është një Perëndi i rrëmujës, por i rregullit. Unë nuk mund të jem Dëshmitar i Jehovait në shtëpi dhe me një fe tjetër në shkollë!» Si rezultat, u lejuan të mos qëndronin gjatë kohës së lutjeve.
Pasi u pagëzua, burri nga Etiopia, i përmendur në librin e Veprave, «vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim». (Veprat 8:39) Po kështu edhe sot, lajmëtarët e Mbretërisë në kontinentin e madh të Afrikës, gëzohen për privilegjin e tyre për të ‘shpallur lajmin e mirë mbi Jezuin’.—Veprat 8:35.