«Si ditët e një peme»
MË SHUMË se tre mijë vjet më parë, Moisiu shkroi: «Ditët e viteve tona janë shtatëdhjetë vjet; dhe nëse për shkak të fuqive të veçanta janë tetëdhjetë vjet, megjithatë këmbëngulja e tyre është mbi ankth dhe gjëra të dëmshme.»—Psalmi 90:10, BR.
Pavarësisht nga përparimet e mjekësisë, periudha e jetës së njeriut është akoma ajo e kohës së Moisiut. Por njerëzit nuk do të jenë gjithmonë të dënuar me këtë ekzistencë kalimtare. Në librin biblik të Isaisë, Perëndia thotë: «Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.»—Isaia 65:22, BR.
Një nga pemët më jetëgjata të vendeve biblike është ulliri. Ky që shihet këtu, është një prej ullinjve të shumtë mijëvjeçarë që akoma lulëzojnë në Galile. Kur do të jetojnë njerëzit kaq gjatë? E njëjta profeci shpjegon se kjo do të ndodhë kur Perëndia të krijojë «qiej të rinj dhe një tokë të re».—Isaia 65:17.
Libri i Zbulesës, gjithashtu, profetizon krijimin e «një qielli të ri dhe një toke të re», një qeverie të re qiellore dhe një shoqërie të re njerëzore, kur Perëndia do «të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan».—Zbulesa 21:1, 4.
Ky premtim hyjnor së shpejti do të përmbushet. Atëherë, madje edhe ditët e një ulliri do të duken si një ditë e thjeshtë 24-orëshe. Dhe ne do të kemi kohë të bollshme që të gëzojmë veprën e duarve tona.